Shqipëria ka përfituar disbursimin e 49 milionë Eurove nga Instrumenti Evropian për Reforma dhe Rritje (RGF), si rezultat i zbatimit me sukses të masave të Agjendës Kombëtare të Reformave. Raporti i dytë i publikuar ditën e sotme nga Komisionin Europian dëshmon progres të qëndrueshëm dhe kontribuon drejtpërdrejt në përshpejtimin e rrugës europiane të Shqipërisë.

Në rajon Shqipëria kryeson me 212,8 milionë Euro të disbursuara, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 142.1 milionë Euro dhe në vendin e tretë renditet Mali i Zi me 89.3 milionë Euro.

Shifrat kryesore:
– 49 milionë euro disbursim i konfirmuar nga BE-ja në kuadër të RGF-së;
– 22.8 milionë euro shkojnë drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit;
– 26.2 milionë euro për fondin e investimeve në WBIF.
– 12 prej 21 masave të Agjendës së Reformave të përmbushura në këtë raund (57%).

Brukseli ka vlerësuar masat e marra nga Shqipëria për përmirësimin e klimës së biznesit, zgjerimin e aksesit në financim dhe mbështetjen për startup-et, si dhe për zhvillimin e sektorëve digjitalë dhe të gjelbër.

Me këtë disbursim, shuma totale e fondeve të lëshuara për Shqipërinë në kuadër të këtij instrumenti arrin në 212.8 milionë euro.

Paralelisht, Komisioni Europian ka miratuar edhe pagesa për vendet e tjera të rajonit, përfshirë 44.2 milionë euro për Malin e Zi dhe 65.7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, në kuadër të mbështetjes për reforma në inovacion, arsim dhe digjitalizim.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE në vitin 2023, synon të përshpejtojë afrimin e vendeve të rajonit me tregun e përbashkët europian dhe të mbështesë procesin e integrimit përmes reformave ekonomike dhe investimeve strategjike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb