Dokumentet e siguruara nga gazetari Osman Stafa, tregojnë se raporti i IBAR për Shqipërinë u bllokua për shkak të shqetësimeve të forta të disa vendeve të BE-së për mënyrën si po funksionon shteti shqiptar, drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe raporti i politikës me SPAK-un.
Versioni i parë i raportit, i hartuar në shkurt 2026, kishte një gjuhë më të butë dhe fliste për “progres” të Shqipërisë. Por në maj 2026, pas negociatave mes vendeve anëtare, teksti u ashpërsua ndjeshëm.
Për herë të parë, Bashkimi Europian përmend drejtpërdrejt SPAK-un dhe shpreh shqetësim për “përpjekje të shtuara dhe shqetësuese” nga politikanë dhe zyrtarë, “përfshirë nivele të larta”, për të ushtruar ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë.
Një tjetër pikë e fortë lidhet me Parlamentin dhe imunitetin e zyrtarëve të lartë. Raporti shton si kusht respektimin e standardeve europiane për heqjen e imunitetit dhe përmend vendimet e Komisionit të Venecias. Po ashtu, Bashkimi Europian shpreh keqardhje për disa vendime të mëparshme të Parlamentit lidhur me hetimet ndaj zyrtarëve dhe deputetëve. Kjo çështje i referohet çështjes së ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, ndaj së cilës Spak kërkoi heqjen e imunitetit, por që socialistët e rrëzuan me votë duke e mbrojtur atë.
Në raport është ashpërsuar edhe gjuha për korrupsionin. Në draftin e shkurtit, korrupsioni konsiderohej “shqetësim serioz”. Në versionin e majit, ai quhet “shqetësim vendimtar”, një nga formulimet më të rënda që përdor zakonisht diplomacia europiane.
Për herë të parë, dokumenti përmend edhe “rrjetet e patronazhit”, duke kërkuar masa kundër keqpërdorimit të shtetit dhe burimeve publike për qëllime politike.
Raporti ngre shqetësime edhe për:
sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme;
mungesën e transparencës te ndërmarrjet shtetërore;
problemet me pronat në bregdet;
shpronësimet pa kompensim të drejtë;
rotacionet dhe integritetin në polici.
Në dokument thuhet gjithashtu se Shqipëria duhet të trajtojë “çrregullimet në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe industrisë së ndërtimit si pasojë e korrupsionit”.
Ndryshimet tregojnë se disa vende të Bashkimit Europian kanë kërkuar kushte më të forta dhe më konkrete për Shqipërinë përpara avancimit të mëtejshëm të negociatave. Raporti i majit konsiderohet dukshëm më kritik ndaj qeverisë shqiptare sesa drafti fillestar i shkurtit.
