Situata në Partinë Demokratike, dy ditë para procesit të planifikuar për zgjedhjet në partinë më të madhe të opozitës është diskutuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24.
Ish-deputeti i PD, Myslim Murrizi deklaroi se përjashtimi i Ervin Salianjit nga gara mbetet autogol për PD.
Ai theksoi se shumica e anëtarësisë së PD janë mbështetës të kreut aktual Sali Berisha, ndaj edhe, siç u shpreh ai vetë, nuk është futur në garë.
Nga ana tjetër, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u shpreh se përveç përjashtimit që nuk është në statut, as referendumi nuk bën pjesë në të, duke iu referuar votëbesimit që pritet të kryhet për të miratuar ose jo Berishën në krye të partisë, në mungesë të kandidatëve të tjerë.
Shehaj theksoi se sipas statutit të PD, ai që ka humbur zgjedhjet nuk ka të drejtën të kandidojë më.
“As referendumi nuk është në statut. Në statut ka kush humbet nuk kandidon dot më. Të themi të vërtetën. As referendumi nuk është në statut. Neni ky është, ose do ta shfuqizosh ose do ta respektosh”, u shpreh ai.
