Draft -marrëveshja midis Iranit dhe SHBA-së që pritet të hyjë në fuqi nëse miratohet nga të dyja palët, është zbuluar për mediat e huaja. Megjithatë Pakistani ka shtuar përpjekjet e ndërmjetësimit mes palëve.
Siç raporton Al Arabiya, plani parashikon një armëpushim të plotë, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar në të gjitha frontet dhe një angazhim për të mos synuar infrastrukturën ushtarake, politike ose ekonomike.
Drafti përfshin nëntë klauzola kryesore, duke përfshirë:
– Armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe të pakushtëzuar në të gjitha frontet.
– Abstenim nga të dyja palët nga synimi i infrastrukturës ushtarake, politike ose ekonomike.
– Fundi i operacioneve ushtarake dhe ndërprerja e “luftës mediatike”.
– Liria e lundrimit dhe sovraniteti territorial.
Plani gjithashtu thekson respektin për sovranitetin dhe integritetin e shteteve, si dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme.
Ai parashikon:
– Garantimin e lirisë së lundrimit në Gjirin Arabik, Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Omanit.
– Krijimin e një mekanizmi të përbashkët monitorimi dhe zgjidhjeje të konflikteve.
– Fillimin e negociatave për çështjet e pazgjidhura brenda shtatë ditëve.
– Heqjen e sanksioneve dhe angazhimin ndërkombëtar.
Draft-marrëveshja parashikon heqjen graduale të sanksioneve të SHBA-së, në këmbim të përmbushjes së kushteve nga Irani.
Gjithashtu përcakton angazhimin e të dyja palëve ndaj të Drejtës Ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.
Marrëveshja paraprake pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas shpalljes zyrtare nga Irani dhe SHBA-të. Sipas informacioneve nuk ka asnjë referencë për çështjen e uraniumit të pasuruar të Iranit.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio më herët tha se kishte pasur “disa shenja të mira” në bisedime, por nuk do të kishte zgjidhje nëse Irani do të këmbëngulte në një sistem tarifash në Ngushticën e Hormuzit, e cila në fakt është mbyllur për shumicën e kalimeve që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.
Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se boshllëqet në negociata ishin shtuar, megjithëse uraniumi i pasuruar dhe kontrolli i Ngushticës mbeteshin çështje të vështira.
