Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj kreut të kësaj force politike, Ilir Meta, është një “proces politik” dhe se ndaj tij, sipas tij, nuk ekzistojnë prova. Blushi, i ftuar në “Programin e drekës” në News24, përballë Ola Brukos, u shpreh se Meta po mbahet në qeli padrejtësisht dhe se hetimet dhe vendimet e lidhura me çështjen e tij janë të ndikuara politikisht.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se procesi është i orkestruar politikisht dhe se nuk ka një dosje konkrete penale ndaj Metës.

Sipas Blushit, çështja ndaj ish-presidentit është “farsë” dhe synon, sipas tij, të dëmtojë figurën e tij publike dhe politike. Ai shtoi se Meta është “i pastër para ligjit” dhe se, sipas tij, akuzat ndaj tij nuk mbështeten në fakte.

“Ndaj zotit Meta po vijon një proces politik gjyqësor. Nuk ka asnjë provë ndaj tij. Po mbahet në qeli padrejtësisht. Prokurori dhe ai që urdhëroi arrestimin ishte zoti Rama. Shpresojmë që mos të jetë dhe ai gjykatësi i zotit Meta. Kam garanci të plotë që zoti Meta është i pastër si qelibar. Këtë mund të jap garanci juve dhe shqiptarëve. Në raport me ligjin dhe kushtetutën, është ai Ilir Meta që njohin shqiptarët dhe jo ai që u përpoq të shpenzonte mln euro për të dëmtuar figurën e tij, si Soros apo Mcgonigal, dhe ata që vishen apo jo me fustan. Por do ketë fakte. Nuk ka një çështje Meta, pasi nuk ka një dosje të tillë. Nuk ka fakte në të. Kemi të bëjmë me një farsë, një proces politik. Për të justifikuar rrëmbimin mafioz që e panë dhe shqiptarët. Pasi zoti Meta rrëmbehet dhe pasi në 4 nëntor mbahen zgjedhjet në Amerikë. Këta nuk kanë dashur që të administrojnë provat. Kanë dashur që të respektojnë me përpikëri urdhrin e Ramës. Kjo është dhe arsyeja se pse seancat kanë qenë të bunkerizura, që mos të dalin faktet. Seancat të çbunkerizohen”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: