Bylisi ashtu si dy sezone më parë, ra në Kategorinë e Parë, ndonëse kishte një ekip me cilësi dhe kualitete në gjirin e vet, teksa fatet e sezonit i vendosi në ndeshjen e fundit në Vorë.
Mallakastriotët e nisën garën me pretendime, si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë, ndonëse patën disa luhatje edhe për shkak të lëvizjeve në ekip. Kampi ballshiot u kushtëzua nga dëmtime dhe pezullime, ndërsa largimet e merkatos së janarit krijuan boshllëqe dhe lanë sidomos në sulm problematikë mungesën e golit.
Në Ballsh tashmë ka pllakosur heshtja, ndërsa tifozët janë ata që e kanë ndier shumë rënien e skuadrës një kategori më poshtë. Pjesëmarrja e Bylisit në elitën e futbollit shqiptar, sigurisht që ka qenë edhe një reklamë për krahinën e Mallakastrës, pasi siç edhe dihet sporti ka qenë dhe mbetet i vetmi mjet argëtimi.
Merkato – Zyrtarisht, në 1 qershor hapet zyrtarisht tregu dhe lëvizjet e lojtarëve. Në Ballsh, e kanë gati pjesën më të madhe të kontingjentit, gati 90% edhe për atë se lojtarët janë me kontrata afatgjatë. Kështu, që do të jetë pak më e lehtë për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Gjithçka do të varet shumë nga shitjet e lojtarëve titullarë që spikatën në sezonin e shkuar, apo dhe largimet e atyre që u ka përfunduar kontrata me mallakastriotët.
Aktualisht, në Ballsh janë duke iu kushtuar rëndësi mirëmbajtjes së terreneve, aty ku stërviten edhe ekipet e akademisë, por edhe disa lojtarë të huaj që janë në Ballsh. Organizimi i Bylisit të sezonit të ri pritet që të nisë në mesin e muajit të ardhshëm. Mallakastriotët kudo ku te luajnë do të kenë një ekip dinjitoz, sigurisht edhe me talente…
