Rusia ka ndërmarrë një valë sulmesh në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, duke lëshuar qindra dronë dhe dhjetëra raketa gjatë natës, në një prej sulmeve më të ashpra të muajve të fundit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se kryeqyteti Kiev ishte objektivi kryesor i sulmeve, por goditje janë regjistruar edhe në rajone të tjera të vendit. Sipas autoriteteve ukrainase, rreth 100 persona janë plagosur, ndërsa katër persona kanë humbur jetën në Kiev dhe zonat përreth.

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar gjatë gjithë natës në kryeqytet, ndërsa dhjetëra ndërtesa banimi, një shkollë, një teatër opere dhe një muze raportohet se janë dëmtuar rëndë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se në sulme është përdorur raketa hipersonike “Oreshnik”, duke i cilësuar veprimet si përgjigje ndaj, siç tha ajo, “sulmeve ndaj infrastrukturës civile” në Ukrainë. Nga ana tjetër, ushtria ukrainase mohon se ka synuar civilët.

Bombardimet ruse në Kiev shkatërruan pjesërisht edhe studion e rrjetit televiziv shtetëror gjerman ARD.

“Studioja e rrjetit televiziv ARD, e vendosur në qendër të qytetit, u dëmtua rëndë dhe u shkatërrua pjesërisht, ndoshta nga një valë goditëse që theu dritaret, shkatërroi dhomat dhe shkaktoi shembjen e mureve”, thuhet në njoftimin për shtyp të lëshuar nga rrjeti televiziv gjerman.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb