Pesë shtete të NATO-s kanë kundërshtuar një propozim për rritjen e ndihmës së detyrueshme ushtarake për Ukrainën, duke bllokuar në praktikë planin e ri të Aleancës.

Sipas raportimeve të The Telegraph, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Spanja dhe Kanadaja kanë refuzuar një propozim të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, i cili parashikonte që vendet anëtare të ndanin të paktën 0.25% të PBB-së çdo vit për mbështetjen ushtarake të Ukraina.

Plani, i cili pritej të diskutohej në samitin e NATO-s në korrik, nuk do të ecë përpara për shkak të mungesës së mbështetjes unanime mes anëtarëve të Aleancës.

Ndërkohë, disa vende të tjera si Polonia, shtetet baltike, Holanda dhe vendet nordike tashmë shpenzojnë mbi këtë nivel për ndihmë ushtarake ndaj Kievit, duke e rritur diferencën brenda Aleancës.

Mark Rutte ka paralajmëruar më herët se disa vende të NATO-s “nuk po bëjnë mjaftueshëm”, duke theksuar se Evropa duhet të marrë një rol më të madh në mbështetjen e Ukrainës, veçanërisht në një kohë kur mbështetja e SHBA-së shihet si më e paqëndrueshme.

Debati pritet të mbetet një nga çështjet kryesore të samitit të ardhshëm të NATO-s, mes presionit në rritje për ndarje më të drejtë të barrës financiare dhe ushtarake brenda Aleancës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb