Qeveria e Iranit ka vendosur t’i japë fund ndërprerjes masive të internetit që preku vendin gjatë konfliktit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, raportojnë mediat shtetërore iraniane.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Fars News Agency, presidenti iranian ka urdhëruar rikthimin e aksesit në internet në të gjithë vendin.
“Dekreti për kthimin e internetit në status quo iu komunikua Ministrisë së Komunikimeve nga Presidenti disa minuta më parë”, citoi agjencia një burim brenda ministrisë.
Ndërprerja e internetit kishte nisur që në fillim të përshkallëzimit të konfliktit më 28 shkurt, duke lënë shumicën dërrmuese të qytetarëve iranianë pa akses në rrjet. Sipas platformës së monitorimit të internetit NetBlocks, kufizimet kanë zgjatur mbi 2,000 orë.
Gjatë kësaj periudhe, vetëm një pjesë e vogël e përdoruesve kanë mundur të lidhen me internetin përmes VPN-ve të avancuara dhe të kushtueshme, të cilat anashkalojnë filtrat shtetërorë dhe censurën digjitale.
Rikthimi i shërbimeve të internetit pritet të mundësojë shpërndarjen e më shumë materialeve dhe raportimeve nga brenda Iranit mbi pasojat e luftës dhe situatën në terren. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se kufizimet dhe censura mbi shumë platforma dhe faqe ndërkombëtare do të vazhdojnë edhe pas rikthimit të aksesit.
Autoritetet iraniane prej vitesh mbajnë një kontroll të fortë mbi internetin dhe rrjetet sociale, duke kufizuar qasjen në platforma të shumta globale dhe duke monitoruar aktivitetin online të qytetarëve.
