Të paktën 25 krerë shtetesh dhe qeverish, mes tyre edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, do të mblidhen të hënën në Paris në samitin e “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, me synimin për të forcuar mbështetjen për Ukrainën dhe për të rritur presionin ndaj Rusisë.

Lajmi u bë i ditur nga Pallati Elysee, i cili theksoi se takimi synon të nxisë arritjen e një armëpushimi dhe rifillimin e negociatave për paqe.

Koalicioni, i krijuar me iniciativën e Francës dhe Britanisë së Madhe, përfshin 35 vende, kryesisht evropiane, të cilat mbështesin Ukrainën ushtarakisht dhe po shqyrtojnë ofrimin e garancive të sigurisë, përfshirë mundësinë e dislokimit të trupave në terren pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Në këtë samit do t’i bashkohen edhe Moldavia dhe Maqedonia e Veriut.

Takimi zhvillohet në prag të festës kombëtare franceze të 14 Korrikut, ndërsa parada tradicionale ushtarake në Champs-Élysées do t’i kushtohet mbështetjes për Ukrainën.

Sipas presidencës franceze, samiti vjen në një moment të rëndësishëm të unitetit transatlantik, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur së fundmi gatishmërinë për të rritur mbështetjen ndaj Ukrainës dhe presionin mbi Moskën.

Një këshilltar i presidentit Emmanuel Macron deklaroi se takimi synon të tregojë se aleatët e Ukrainës mbeten të vendosur në mbështetjen e tyre dhe se Rusia nuk duhet të llogarisë në lodhjen e partnerëve perëndimorë.

Në fokus të diskutimeve do të jetë forcimi i mbrojtjes ajrore dhe antibalistike të Ukrainës, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në prodhimin e armëve me licencë në territorin ukrainas.

Po ashtu, forca shumëkombëshe e planifikuar për t’u vendosur në Ukrainë pas përfundimit të luftës do të nisë ushtrime ushtarake jashtë territorit ukrainas, pasi tashmë është ngritur një shtab operacional pranë Parisit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë edhe në paradën ushtarake të 14 Korrikut, së bashku me përfaqësues të vendeve që mbështesin ushtarakisht Kievin.

Pjesëmarrjen në samit e kanë konfirmuar edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe presidenti italian Sergio Mattarella, ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni nuk do të jetë e pranishme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb