Një sulm me dron ndaj një platforme nafte në det të hapur në Kuvajt ka rritur shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe transportit detar në Gjirin Persik.
Sipas kompanisë së sigurisë detare EOS Marine, Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit konfirmoi se më 12 korrik një mjet ajror pa pilot goditi një platformë shpimi në det të hapur që i përket Kompanisë së Naftës së Kuvajtit, pranë portit të Shuwaikh.
Si pasojë e sulmit janë shkaktuar dëme materiale në objektet e platformës, ndërsa një punëtor ka mbetur i plagosur. Autoritetet kuvajtiane nuk kanë bërë ende publike vendndodhjen e saktë apo kohën kur ndodhi incidenti.
EOS Marine e cilësoi ngjarjen si një incident të rëndësishëm, duke theksuar se ai pasqyron përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, ku muajt e fundit janë regjistruar sulme të përsëritura me dronë dhe raketa ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës detare.
Kompania u ka bërë thirrje anijeve që operojnë në rajon të mbajnë mbikëqyrje të vazhdueshme, duke përdorur radarët dhe sistemet elektronike të gjurmimit 24 orë në ditë, si dhe të zbatojnë masat mbrojtëse të parashikuara nga Praktikat më të Mira të Menaxhimit (BMP).
Gjithashtu, kapitenëve u rekomandohet të raportojnë menjëherë çdo aktivitet të dyshimtë tek autoritetet përkatëse të sigurisë detare dhe të monitorojnë vazhdimisht paralajmërimet zyrtare për kërcënime të mundshme ajrore. Në rast të një sulmi me dronë ose raketa, EOS Marine thekson se duhet të ndiqen udhëzimet e autoriteteve ushtarake.
Edhe pse deri më tani sulmi nuk ka ndikuar në eksportet e naftës apo në qarkullimin e anijeve tregtare nga Kuvajti, incidenti rikthen në vëmendje rrezikun e vazhdueshëm ndaj infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik dhe sfidat e sigurisë për transportin detar në rajon.
