Ish-zonja e parë e SHBA-së, Jill Biden, ka zbuluar se gjatë debatit televiziv të vitit 2024 mes bashkëshortit të saj, Joe Biden, dhe Donald Trump, kishte frikë se presidenti i atëhershëm po pësonte një goditje në tru.
Në një fragment të publikuar nga një intervistë për CBS, e cila pritet të transmetohet e plotë të dielën, Jill Biden përshkroi momentin dramatik kur pa Bidenin të luftonte gjatë debatit 90-minutësh të zhvilluar në Atlanta.
“Isha e tmerruar, sepse nuk e kisha parë kurrë Joe-n kështu më parë apo që atëherë. Kurrë”, tha ajo. “Ndërsa e shikoja, mendova: ‘O Zot, ai po pëson goditje në tru’. Ishte shumë e frikshme”, shtoi ish-zonja e parë.
Debati i qershorit 2024 shkaktoi tronditje në kampin demokrat, pasi Biden, atëherë 81 vjeç, u shfaq i ngjirur, ndalonte shpesh gjatë përgjigjeve, ngatërronte fjalët dhe në disa momente ishte i paqartë.
Një nga momentet më të përfolura të debatit ishte kur Biden, duke tentuar të kritikonte politikat fiskale të Trump, deklaroi gabimisht: “Më në fund e mundëm Medicare-in”. Më vonë, stafi i tij sqaroi se ai kishte dashur të thoshte se administrata kishte “mundur industrinë farmaceutike”, por gafat verbale shtuan dyshimet mbi gjendjen e tij fizike dhe mendore.
Nga ana tjetër, Trump reagoi me ironi gjatë debatit, duke thënë: “Nuk e di vërtet çfarë tha në fund të asaj fjalie. Nuk mendoj se as ai e di.”
Performanca e dobët e Bidenit çoi në rritjen e presionit nga figura të rëndësishme demokrate dhe donatorë që ai të tërhiqej nga gara presidenciale. Pak javë më vonë, Biden njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga kandidimi për një mandat të dytë dhe mbështeti kandidaturën e Kamala Harris.
Pavarësisht kritikave të shumta pas debatit, Jill Biden e mbrojti publikisht bashkëshortin e saj. Në një tubim elektoral të zhvilluar pak ditë më vonë, ajo deklaroi: “Joe, bëre një punë të shkëlqyer. U përgjigje çdo pyetjeje. I dije të gjitha faktet.”
