Konflikti në Lindjen e Mesme po i detyron vendet të rishqyrtojnë strategjitë e tyre të energjisë, duke hapur rrugë të reja furnizimi dhe duke u drejtuar te burimet e tyre për t’u përballur me krizën e dytë energjetike në pesë vjet. Kështu ka deklaruar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

“Po përballemi me krizën më serioze të sigurisë energjetike që bota ka parë ndonjëherë dhe besoj se kjo do të riformësojë strategjitë e investimeve në një shkallë globale, siç ndodhi me ndërprerjet e mëdha në sektorin e energjisë pas goditjeve të naftës të viteve 1970”, tha Fatih Birol , Drejtor Ekzekutiv i IEA-s.

“Ne tashmë po shohim një intensifikim të përpjekjeve nga vendet prodhuese dhe konsumatore për të diversifikuar rrugët tregtare dhe burimet e energjisë, veçanërisht përmes ndërtimit të tubacioneve të reja dhe infrastrukturës tjetër të furnizimit dhe mbështetjes në rritje nga burimet vendase”, shtoi ai në raportin mbi investimet globale në energji të përgatitur nga agjencia e energjisë e OECD-së ( Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim).

OECD vlerëson se investimet globale në energji do të arrijnë në 3.4 trilionë dollarë në vitin 2026, pak më shumë se një vit më parë, nga të cilat rreth 2.2 trilionë dollarë do të ndahen për rrjetet e energjisë elektrike, ruajtjen, karburantet me emetime të ulëta, energjinë bërthamore, burimet e rinovueshme, efikasitetin e energjisë dhe elektrifikimin.

Krahas këtyre investimeve, pritet të investohen rreth 1.2 trilionë dollarë në naftë, gaz dhe qymyr.

Megjithatë, IEA vlerëson se investimet në naftë do të bien për të tretin vit radhazi në vitin 2026, duke rënë nën 500 miliardë dollarë pavarësisht rritjes së çmimeve të naftës bruto.

Kjo shpjegohet me pasigurinë në lidhje me kohëzgjatjen e kësaj rritjeje të çmimit, afatet e zbatimit të projektit, kufizimet e furnizimit dhe shtrëngimin e tregut të platformave të shpimit në det të hapur, të cilat kufizojnë investimet afatshkurtra jashtë Lindjes së Mesme.

Në të kundërt, investimet në gaz natyror pritet të arrijnë në 330 miliardë dollarë, “niveli më i lartë në dhjetë vjet, i mbështetur nga një valë projektesh të reja të eksportit të gazit natyror të lëngshëm, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Katari”.

Në të njëjtën kohë, vendet që importojnë naftë po drejtohen drejt burimeve të energjisë “të disponueshme në territorin e tyre”, kryesisht burimeve të rinovueshme, energjisë bërthamore dhe qymyrit.

IEA vlerëson se investimet në energjinë e rinovueshme pritet të arrijnë rreth 665 miliardë dollarë deri në vitin 2026, 365 miliardë dollarë nga të cilat do të jenë vetëm në energjinë diellore.

Investimet në energjinë bërthamore “vazhdojnë të rimëkëmben” dhe pritet të kalojnë 80 miliardë dollarë në vit, ndërsa investimet në qymyr pritet të arrijnë 180 miliardë dollarë, “niveli më i lartë që nga viti 2012”.

Vetëm Kina do të përbëjë pothuajse 70% të shpenzimeve globale për furnizimin me qymyr, dhe disa vende aziatike “mund të kërkojnë të zgjerojnë funksionimin e termocentraleve ekzistuese me qymyr për të rritur sigurinë e tyre energjetike”.

Së fundmi, investimet në furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturën e energjisë elektrike pritet të arrijnë pothuajse 1.6 trilion dollarë në vitin 2026, nga të cilat afërsisht 550 miliardë dollarë për rrjetet e energjisë elektrike, ndërsa investimet në ruajtjen e energjisë elektrike në bateri pritet të kalojnë 100 miliardë dollarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb