Katër vendet ritheksuan angazhimin e tyre për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut në një deklaratë të përbashkët të publikuar të martën pas bisedimeve mes kryediplomatëve të grupit të sigurisë Quad në kryeqytetin e Indisë, New Delhi.
Sipas agjencisë shtetërore koreano-veriore të lajmeve KCNA, një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut tha se çarmatosja bërthamore e vendit “nuk do të ndodhë kurrë”.
“Quad nuk është gjë tjetër veçse një mjet politik dhe diplomatik që i shërben strategjisë së SHBA-së për dominim unipolar”, tha zëdhënësi.
Ministria tha se e dënon me “vendosmëri” atë që e cilësoi si qëndrim armiqësor të grupit Quad dhe i kërkoi grupit të ndalojë veprimet që minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal.
Deklarata shtoi se lëvizja e Quad-it për të forcuar bashkëpunimin synon “të justifikojë përpjekjet e Japonisë për riarmatim dhe posedimin nga Australia të një nëndetëseje bërthamore”.
Zëdhënësi tha se Koreja e Veriut do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe interesat e saj të sigurisë dhe do të kundërshtojë atë që e përshkroi si aleanca ekskluzive dhe përballje blloqesh në rajon.