Emisioni investigativ Vetting, News24
Dosja e emërimeve, pasurive dhe dyshimeve për abuzime në administratën tatimore
Faktet e siguruara nga “Vetting” zbulojnë se kjo skemë po aplikohet në pozicionet më delikate të administratës fiskale. Rasti Estela Dura, e cila është ngarkuar me detyrë si drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj (VIP), është ndër më kompleksët. Prej afro një viti, Dura qëndron në këtë post kyç, ndërsa zyrtarisht paguhet si Drejtoreshë Rajonale e Tatimeve Tiranë. Ky pozicion i është dhënë me urdhër të drejtorit aktual, Ilir Binaj.
Rasti i Erilinda Lalës evidenton se, sipas burimeve jozyrtare, pritet të ndodhë një rrokadë, ku ajo do të zëvendësojë Estela Durën. Misioni i Erilinda Lalës në Tatimet e Tiranës duket se ka përfunduar, pasi ka “goditur në shenjë” bizneset e kryeqytetit. Edhe Lala vazhdon të jetë e komanduar prej afro një viti, pa kaluar në filtrat e DAP-it.
Arbëri Ametbejasi mban një nga postet më të rëndësishme, atë të drejtuesit të Strukturës së Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara në nivel qendror. Pasi la funksionet në Vlorë, ai u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme pa asnjë transparencë publike, pa CV të publikuar dhe pa procedurë konkurrimi të dokumentuar nga Departamenti i Administratës Publike.
Një tjetër rast i diskutueshëm është ai i juristes Armela Tafani, e cila mban një pozicion drejtues në administratën fiskale pa pasur gjurmë të qarta të karrierës së saj të mëparshme. Referuar viteve të eksperiencës, ngrihen pikëpyetje serioze nëse ajo plotëson kriteret për të ushtruar një funksion drejtues në administratën tatimore.
Dokumentet zbulojnë se ky model ka qenë i konsoliduar që në kohën e Ceno Klosit. Sipas avokatit Laska: “Duke anashkaluar hallkat e meritokracisë, rekrutohen ‘ushtarë’ të partisë. Në këtë mënyrë, ai person që nuk e ka nivelin e duhur të kualifikimit dhe e di që vendin e punës nuk e ka marrë me meritë, por si rezultat i shërbimit ndaj partisë, është i gatshëm të kryejë edhe shkelje të tjera për të qëndruar në atë pozicion”.
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka marrë në shqyrtim dosjet e zyrtarëve Gjergji Smokthina, Altin Demiraj dhe Asqeri Mirashi.
Për të tre këta nëpunës, institucioni ka përdorur të njëjtin mekanizëm të “ngarkimit në detyrë”, duke shkelur nenin 48 të Ligjit nr. 152/2013.
Gjergji Smokthina u emërua në vitin 2022 përmes DAP-it, por në vitin 2024 u përfshi në një cikël të vazhdueshëm transferimesh në funksione të përkohshme, pa afat të përcaktuar, duke shkelur edhe nenin 26 për konkurrimin e hapur.
Altin Demiraj kaloi nga kontrolli tatimor në funksione operative dhe anasjelltas, pa një bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e transparencës të Kodit të Procedurës Administrative.
Mbi të gjitha, ky kaos u shoqërua edhe me shkelje të rënda lidhur me pezullimet vullnetare. Punonjës si Besnik Seferaj, Edvin Gruçka dhe Agron Nuredinaj, pasi përfunduan afatet e pezullimit, u përballën me pritje pa fund dhe vonesa të qëllimshme administrative, në kundërshtim me ligjin për nëpunësin civil.
Ndërsa ligji shkelet brenda zyrave qendrore, në terren pasojat janë dramatike. Më 24 prill 2026, Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara pranë Tatimpaguesve të Mëdhenj bllokoi llogaritë bankare të kompanisë “Birra Korça” pa asnjë njoftim paraprak, ndërkohë që çështja ishte ende në proces ankimimi gjyqësor.
Në këtë proces administrativ arbitrar dalin në dritë dy emra: Brunilda Llaci, drejtoreshë e kësaj drejtorie, dhe inspektori Ermal Zhegaj.
Investigimi i “Vetting” zbulon fakte shqetësuese për profilin e këtyre funksionarëve. Ermal Zhegaj, ndërkohë që mban detyrën delikate të inspektorit të tatimeve dhe ka akses në të dhënat financiare të bizneseve, rezulton aktiv edhe në tregun privat imobiliar si agjent i lidhur me “Century 21 Albania”.
Kjo veprimtari paralele private përbën një situatë të pastër konflikti interesi, në kundërshtim me ligjin nr. 9367/2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave”.
Ky rrjet emërimesh të paqarta ka edhe një kosto të madhe financiare që rëndon mbi taksapaguesit. Sipas raporteve zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), vetëm gjatë vitit 2022 janë paguar 77.6 milionë lekë për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë për ish-punonjës të larguar padrejtësisht nga puna. Në raportin e shtatorit 2024, kjo faturë ka arritur në 216.5 milionë lekë të likuiduara, të shoqëruara edhe me 5.9 milionë lekë tarifa përmbarimore.
Sipas avokatit Laska: “Ne paguajmë taksa për të mbajtur shtetin, ndërkohë që shteti i keqpërdor ato, duke paguar dy apo tre herë të njëjtët punonjës, të cilët nuk japin shërbimin për të cilin duhet të paguheshin. Kjo është përgjegjësi direkte e institucioneve përkatëse dhe e partisë politike që drejton qeverinë, Partisë Socialiste, e cila në përgjithësi merr patronazhistë dhe i përdor në këto institucione.”
Shteti paguan dy paga për të njëjtin pozicion, ndërsa zyrtarët përgjegjës fshihen pas postit. KLSH rekomandoi masa disiplinore, nga vërejtja deri te largimi nga puna për përgjegjësit, por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka refuzuar të zbatojë qoftë edhe një masë të vetme.
Në këtë hapësirë mes asaj që shkruhet në ligj dhe asaj që ndodh në praktikë qëndron thelbi i këtij hetimi. Kur shërbimi civil cenohet nga brenda përmes emërimeve të dyshimta të kohës së Klosit apo Binajt, administrata publike humbet neutralitetin dhe kthehet në një instrument presioni ndaj sipërmarrjes shqiptare.
Sipas avokatit Elton Laska, administrata publike duhet të jetë e depolitizuar dhe të mos përdoren metoda që shmangin procedurat ligjore. Më tej, ai shton: “Nuk ka nevojë t’i shkosh biznesit në zyrë apo në ambientet e punës, sepse të gjitha detyrimet pasqyrohen online dhe administrata mund të kontrollojë çdo deklarim nga zyrat e shtetit. E dinë se çfarë xhiroje ka biznesi dhe cilat janë detyrimet e papaguara. Nuk ka arsye që t’i ushtrohet presion fizikisht biznesit. Biznesi nuk duhet ta njohë fare agjentin e tatim-taksave. Ai duhet të jetë një funksionar që kontrollon në sfond xhiron fiskale dhe shlyerjen e detyrimeve. E vetmja arsye pse shkohet te biznesi është për të vendosur gjoba dhe për të krijuar frikë ndaj Drejtorisë së Tatim-Taksave dhe, përmes saj, ndaj pushtetit.”
“Vetting” ka ekspozuar resorte në bregdet, kompani të fshehura dhe pasuri të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme nga ish-drejtues dhe drejtues aktualë të Administratës Tatimore, për të cilët ende nuk ka asnjë reagim nga Prokuroria e Tiranës apo SPAK.
Më 29 maj 2025, në krye të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë u emërua në mënyrë të komanduar Erilinda Lala. Dokumentet e siguruara nga “Vetting” dhe korrespondenca me institucionet publike krijojnë indicie se drejtoresha Lala është përfshirë në një sërë shkeljesh të rënda, përfshirë fshehjen e pasurisë së bashku me bashkëshortin e saj, Taulant Godroli.
Dokumentet publike tregojnë indicie të forta për lidhje mes Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, bashkëshortit të saj Taulant Godroli dhe kompanisë “Alko-Impex General Construction”, me administrator Arbër Abazin. Këto lidhje ngrenë dyshime për mënyrën se si kompania ka përfituar kontrata publike me vlera prej dhjetëra milionë eurosh.
Denoncimi i parë publik është bërë në maj 2016 nga Partia Demokratike, përmes ish-deputetes Grida Duma, e cila ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit të Komisionit të Prokurimeve Publike dhe lidhjet e mundshme me kompani private.
“Kemi sot pyetje të rëndësishme që kërkojnë përgjigje. A është sot njëri prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut funksionar i lartë i KPP-së? A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut me një funksionare të lartë të Komisionit të Prokurimeve Publike?”, deklaronte ish-deputetja e PD-së, Grida Duma.
Do të kalonte pothuajse një dekadë nga ky denoncim publik derisa dosja e kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” (ish “KLEDOR ALBANIA-09”), së bashku me Arbër Abazin, të vihej nën hetim nga SPAK. Kompania dyshohet se ka përfituar dhjetëra miliona euro fonde publike në mënyrë të paracaktuar nga ish-zv.kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit ndodhet nën mburojën e mazhorancës socialiste, e cila i mohoi SPAK-ut kërkesën për arrestimin e saj, duke kundërshtuar për herë të parë një kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.
