Elbasani ia ka dalë që në sezonin e dytë në Superiore, të sigurojë Europën, por në kampin verdheblu ekziston keqardhja që ndoshta nuk do festojnë dot edhe titullin kampon, siç mund të dukej deri dy javë më parë. Këtë e shpjegon në “Sport News” në “News 24” edhe vetë drejtori sportiv Elton Guranjaku, i cili pranon se Egnatia shfrytëzoi më së mirin mundësinë që iu dha për të dalë e para në garën për trofeun.
Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, drejtori i Elbasanit shpjegoi gjithashtu edhe se si ishin planet e klubit për të ardhmen, objektivat që ka, si dhe lëshoi një paralajmërim për lojtarët dhe kërkesat që kanë disa prej tyre për rinovimin me verdheblutë.
Elton, në fakt të gjithë prisnin që finalja e madhe të ishte ajo mes Elbasanit dhe Vllaznisë më datë 31 maj. Por tani është edhe Egnatia në lojë, janë tre skuadra. Çfarë ndodhi, ku nuk u bënë llogaritë po themi në mënyrën e duhur që dolën tre ekipe tashmë pretendente?
Nuk besoj se kishte shumë llogari kjo pjesë sepse të them të drejtën Vllaznia dhe Elbasani kanë qenë gjithë sezonin në vend të parë dhe të dytë, Egnatia pak më poshtë dhe Dinamo gjithashtu. Vetë formula të jep këtë mundësi që me përgjysmimin e pikëve të afrohesh e të luash për gjithçka, siç e luajti Egnatia që me dy fitore është më pranë titulli. Por nuk mund të them se bëri gabim Elbasani apo Vllaznia për “Final Four”, sepse dihej se kush gabonte do e pësonte në këtë drejtim. Ne mendojmë se nga ana jone kemi bërë maksimumin tonë, gabuam në atë ndeshje me Egnatian, ndërsa kishim luajtur 6 ndeshje me ta, në asnjë moment nuk na kishin dominuar apo ishim mundur prej tyre. Qëlloi ndoshta fat i keq i yni që nuk ishim në 100% tonë e ndodh që të humbësh edhe kampionatin me pikë të barabarta më pas.
Elton përmende pak më përpara skemën që po zhvillohet në këtë sezon. Është ironike në fakt që festa e titullit mund të bëhet në Elbasan në këtë vit por këtë shans mund ta ketë skuadra e Egnatias. Madje edhe Federatës i dolën llogaritë gabim sepse u detyrua të ndryshonte datën e ndeshjes. A të duken normale të ndryshohen rregullat në këtë moment, jo më përpara? A jeni të kënaqur ju si klub me këtë skemë?
Të them të drejtën e kam thënë më parë që nëse bëjmë një krahasim mes dy skemave të sezonit të kaluar dhe kësaj aktuale, më mirë është kjo tani, se të paktën i jep mundësi skuadrave të mbajnë pikët që kanë. Ndërsa sezonin e kaluar ishte më keq se i pari lunate me të katërtën dhe mund të dilej jashtë që në ndeshjen e parë. Pastaj kjo e ndryshimit të datave, prapë e kam diskutuar në FSHF dhe e kam thënë që jo në ndeshjen e fundit, por edhe parafundit e kisha paralajmëruar. Një ndeshje një ditë para, e një mbrapa, nuk dalin llogaritë se pikët do jenë aty-aty dhe nëse marr vesh si del një ndeshje një ditë më parë, ndeshja e dytë mund të kthehet në teatër. Nuk e di, hante diskutim. Ata vendosen një ditë para, tani erdhi koha dhe kisha të drejtë që ndeshjet duhet të luhen në të njëjtën orar. Pastaj fakti që luhet në Elbasan… Ne gjithsesi duhet të bëjmë ndeshjen tonë me Vllazninë, të fitojmë e pastaj të mendojmë çfarë do të ndodhë në ndeshjen tjetër.
A besoni se Dinamo mund të ndalë Egnatian? Sa janë shanset po themi të Elbasanit për t’u shpallur kampion?
Shanset janë, nuk është se nuk janë, janë edhe për Vllazninë. Por e thashë që e para të bëjmë mirë ne, se po nuk bëmë mirë, e kotë të shohim çfarë ndodh. Shanset janë të pakta pasi dihet se Egnatia e ka në dorë vetë titullin në këto momente. Elbasani ka në dorë vetëm të luajë mirë, të bëjmë ndeshje sa më korrekte me Vllazninë, të jemi në formën e duhur dhe të fitojmë. Pastaj se çfarë ndodh me Dinamon e Egnatian mund ta shohim në fund se nuk është në dorën tonë. E kishim në dorë, e humbëm këtë shans dhe tani thjesht presim.

Pas ndeshjes me Dinamo, trajneri Gvozdenoviç në një intervistë të dhënë për “News 24” u shpreh se në këtë sezon, objektivi i Elbasanit ishte rikthimi në Europë. Ky ka qenë vërtetë synimi juaj, më pas nëse do dilte gara për titull do të ishte akoma më mirë… A quhet i përmbushur misioni vetëm me prezencën në Europë nëse Elbasani nuk arrin të shpallet kampion?
Nëse mua personalisht në verë do më thoshe se në fund të sezonit ju do jeni në Europë, do firmosja direkt. Por fakti që gjatë gjithë sezonit kemi bërë mirë, kemi qenë gjithmonë në majën e klasifikimit, në dy vendet e para, bëri që pritshmëritë tona të rriten. Në momentin kur rriten pritshmëritë, edhe “Final Four” të duket minimale, edhe Europa. Pasi mundëm Vllazninë dolëm të parët, edhe Europa po na dukej minimale… E gjitha është te pritshmëritë që jep skuadra, se nëse japim pritshmërinë vetëm për titullin, edhe tifozët kanë të drejtë të ëndërrojnë, edhe ne. Por të them të drejtën, nëse e marrim në tërësi kampionatin, ne kemi bërë një kampionat mjaft të mirë. U kthyem në Europë. Ky klub është themeluar para 5 vitesh, tani në vitin e dytë në Superiore kapim Europën, nuk mund të themi se kemi zhgënjyer, se e dimë që Egnatia, Dinamo, apo Vllaznia, Partizani e Tirana, janë të gjitha skuadra që kanë shpenzuar goxha në këtë sezon. Jo të gjithë arritën objektiva, Elbasani e arriti ndaj për mendimin tim është sezon pozitiv.
Rinovimi i kontratës me Gvozdenoviç pa u mbyllur kampionati, kam përshtypjen ishte një lëvizje për t’i dhënë më shumë besim trajnerit për vazhdimësinë. Apo pse u bë kjo lëvizje përpara ndeshjes me Vllazninë? Ka diçka këtu?
Jo. Të them të drejtën e kisha biseduar me trajnerin Gvozdenoviç përpara ca kohësh për rinovimin e kontratës, kishim rënë dakord dhe ishte thjesht çështje kohe kur do rinovonim. Mendova ta bënim publike para ndeshjes finale, që sido të shkojë, projekti me trajnerin do të vazhdojë dhe në sezonin që vjen. Besoj se do të jemi prapë konkurrues në kampionat, mendoj se do të arrijmë të bëjmë një skuadër dinjitoze për sezonin por pa harruar ndeshjen të dielën. Ta mbyllim me sukses dhe pastaj të mendojmë për sezonin tjetër.
Ndërkohë e di që një pjesë e mirë e lojtarëve të Elbasanit, disa janë edhe titullarë, janë në fund të kontratës. Guranjaku është marrë me këtë çështje, ka filluar të mendojë për rinovimet? Duke qenë se kupat e Europës janë shumë pranë…
Normale që po merremi me rinovimet. Por të them të drejtën lojtarët tanë, pas një viti që është shumë i suksesshëm edhe për lojtarët, kanë rritur kërkesat e tyre dhe normalisht presin shumë më shumë se sa kanë pasur këtë vit. Por Elbasani të them të drejtën ka një buxhet të limituar, nuk është pa limit. Do bisedojmë, por nuk mund të arrijmë dot ato nivele që ndoshta disa klube të tjera mund t’i arrijnë. Ndërsa ne jemi gjithmonë me këmbë në tokë, me buxhetin që kemi. Nëse nuk arrijmë dakordësinë me këta, do arrijmë me të tjerë, siç kemi bërë në sezone të tjera.
Edhe një pyetje e fundit, kush është synimi i Elbasanit për të ardhmen? Çfarë synoni qoftë duke filluar nga Europa e më pas për sezonin e ardhshëm?
E para unë personalisht kam filluar të mendoj për skuadrën e sezonit që vjen që tani. Ka disa kohë që fillova të mendoj. E sigurt është që do jemi prapë dinjitozë në kampionat dhe e sigurt që do jemi lart duke luftuar për vendet e para. Ndërsa për Kupat e Europës, personalisht mendoj që kalimi i turit të parë do të ishte minimalja që të kishim si objektiv. Pra të paktën të jetë skuadra gati dhe kalimi i turit të parë të jetë minimalja për klubin tonë.
