Koreja e Jugut dhe Japonia kanë diskutuar sot mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për mbështetje logjistike ushtarake, por Seuli theksoi se çështja mbetet politikisht e ndjeshme dhe kërkon kujdes të veçantë, sipas Reuters.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Ahn Gyu-back, deklaroi pas takimit me homologun japonez Shinjiro Koizumi në Dialogun e Shangri-La në Singapor se një marrëveshje e tillë kërkon mirëkuptimin dhe mbështetjen e qytetarëve të të dy vendeve.

Marrëveshja e mundshme, e njohur si marrëveshje për blerje dhe shërbime të ndërsjella, do t’u mundësonte dy aleatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ndajnë dhe të sigurojnë reciprokisht furnizime logjistike ushtarake, përfshirë karburant, ushqime dhe municione.

Megjithatë, Koreja e Jugut ka treguar kujdes ndaj këtij hapi për shkak të “plagëve” historike që lidhen me sundimin kolonial japonez në periudhën 1910-1945, si dhe kundërshtimit publik ndaj mundësisë që trupat japoneze të operojnë në Gadishullin Korean.

Nga ana tjetër, Ministria japoneze e Mbrojtjes njoftoi se Koizumi dhe Ahn diskutuan gjithashtu zhvillimin e një stërvitjeje të përbashkët humanitare për kërkim-shpëtim në muajin qershor.

Një aktivitet i tillë do të zhvillohej për herë të parë pas rreth nëntë vitesh.

Bashkëpunimi i zgjeruar ushtarak mes Seulit dhe Tokios shihet si pjesë e përpjekjeve për forcimin e sigurisë rajonale në Azi-Paqësor, megjithëse çështjet historike vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb