Kampionati Kombëtar i Atletikës për të Rinj, i zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan, mblodhi rreth 150 sportistë nga 11 ekipe të vendit, të cilët konkurruan me rivalitet dhe rezultate cilësore. Aktiviteti konfirmoi nivelin në rritje të atletikës shqiptare dhe potencialin e madh të brezit të ri. Në klasifikimin ekipor, Vllaznia u shpall kampione te djemtë me 106 pikë, ndërsa Partizani fitoi titullin te vajzat me 133 pikë.

Çmimet individuale për sportistët më të mirë iu dhanë Xhonatan Zenelajt të Teutës me 886 pikë dhe Phoebe Mustafaraj të Tiranës me 978 pikë. Kampionati solli edhe dy rekorde të reja kombëtare U-18. Antonita Cuni e Fortius vendosi rekord në kërcimin 3-hapësh me 11.91 metra, ndërsa Phoebe Mustafaraj theu rekordin e 200 metrave me kohën 25.15 sekonda. Mes fituesve më të spikatur të garave ishin Xhonatan Zenelaj, fitues i 100 dhe 200 metrave, Sidrit Kopliku i Vllaznisë, i pari në 800 metra dhe 400 metra me pengesa, si dhe Mei Sokoli e Partizanit, fituese në kërcimin së larti dhe hedhjen e shtizës.

Në garat e tjera triumfuan Elizeo Spathari në kërcimin 3-hapësh, Mirsad Plumbi në 1500 metra, Dejan Balla në 400 metra, Mario Cepi në kërcimin së gjati, Mario Llushi në hedhjen e gjyles dhe Gabriel Rabia në hedhjen e shtizës. Te vajzat fituan, ndër të tjera, Ajla Doda në 800 metra, Elisabeta Marku në 1500 metra, Alisa Çiko në 400 metra, Marilena Gjata në kërcimin së gjati dhe Lajla Sokoli në hedhjen e gjyles.

Në stafetat 4×100 dhe 4×400 metra, Vllaznia dominoi te djemtë, ndërsa Partizani triumfoi në të dyja garat te vajzat. Me pjesëmarrje të gjerë, rezultate të nivelit të lartë dhe rekorde të reja kombëtare, Kampionati Kombëtar për të Rinj në Elbasan tregoi se atletika shqiptare vazhdon të ketë një bazë të fortë talentesh dhe një të ardhme shumë premtuese.

CMIMET

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb