Të ftuar në emisionin “Studio24”, anëtari i Partisë Socialiste, Alfred Muharremi, dhe deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, kanë debatuar fort lidhur me tubimin e tretë të mbajtur nga qytetarët në Tiranë. Ndërsa Kapri e cilësoi protestën si më të madhen ndër vite, duke vlerësuar vendimin e aktivistëve për të mos lejuar logo politike, Muharremi hodhi akuza të rënda, duke i quajtur organizatorët dhe partitë mbështetëse “maskarenj politikë”.
Përfaqësuesi i PS-së, Alfred Muharremi, u shpreh se protesta ka pasur dy elemente, duke përgëzuar reagimin ndaj dhunës së ushtruar ndaj një protestuesi në Zvërnec dhe duke theksuar se qeveria ka marrë masat e merituara ndaj policëve që “mbyllën sytë”. Megjithatë, ai hodhi akuza të forta ndaj partive të vogla, duke pretenduar se qytetarët po manipulohen nga klane specifike.
“Mendoj se kjo ka dominuar protestën dhe qytetarët që protestojnë sot janë të dezinformuar. E para sepse ka klane që ndikojnë në këtë dezinformim. Bëjnë pjesë në protestë. Janë këto partiçkat e vogla. Nëse keni pak cipë dhe pak kurajë njerëzore, e keni treguar se jeni maskarenj politikë. Çfarë të ka vjedhur Edi Rama ty, çfarë të ka shitur, kur për herë të parë me qeverisjen e tij ke marrë informacion për çdo projekt ndërkombëtar,” u shpreh Muharremi.
Deklaratat e Muharremit kanë sjellë reagimin e ashpër të deputetit të Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i cili e ka cilësuar socialistin si “vullnetar të Enverit” dhe ka pretenduar se ai po mbron qeverinë vetëm për përfitime personale.
Kapri: “Je për të ardhur keq! Je për mëshirë. Është kaq mirë zotëria sa e ka lënë edhe partia e tij pa vend pune. E ka lënë rrugëve. Dhe tani çirret për një vend pune.”
Muharremi: “Kam qenë i suksesshëm në nivelin tim, ti mund të kesh lexuar…”
Kapri: “Më vjen shumë keq për ty, je për mëshirë. Je vullnetar i Enverit. Je për një vend pune.”
