Qeveria japoneze ka miratuar një buxhet shtesë prej 19 miliardë dollarësh për të ndihmuar familjet dhe bizneset që po përballen me rritjen e kostove të jetesës, të ndikuara nga tensionet dhe pasiguritë në Lindjen e Mesme.
Kabineti i udhëhequr nga kryeministrja Sanae Takaichi miratoi zyrtarisht paketën financiare gjatë mbledhjes së zhvilluar të mërkurën në mëngjes, sipas njoftimit të zyrës së kryeministres.
Zëdhënësi i qeverisë, Minoru Kihara, deklaroi se masa është hartuar për të zbutur ndikimin ekonomik të zhvillimeve ndërkombëtare dhe për të mbrojtur konsumatorët japonezë nga rritja e çmimeve.
“Mes pasigurisë së vazhdueshme në situatën në Lindjen e Mesme, ne e kemi përgatitur këtë buxhet me synimin për të minimizuar rreziqet ekonomike,” tha Kihara.
Sipas qeverisë japoneze, fondet do të përdoren kryesisht për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve nga rritja e çmimeve të karburanteve, energjisë elektrike dhe gazit natyror.
Kryeministrja Takaichi kishte paralajmëruar muajin e kaluar se administrata e saj po përgatitej të ndërhynte me masa shtesë ekonomike për të mbrojtur familjet nga ndikimi i çmimeve më të larta të energjisë dhe inflacionit.
Japonia, e cila mbështetet në masë të madhe te importet e energjisë, është veçanërisht e ndjeshme ndaj luhatjeve të tregjeve globale të naftës dhe gazit, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi ekonominë botërore.
