Shpesh, në vendimet e liderëve politikë, qoftë edhe më të fuqishmit e botës lihet në haresë ose nuk vlerësohet kryerja e një analize tërësore me qëllim që të jepen përgjigjet e duhura mbi pyetjen madhore gjeopolitike ” Po pastaj, çfarë do të ndodhë?”( What comes after?) Me një fjalë, kur merret një vendim për një aleancë e sidomos ndërhyrje ushtarake ndaj një vendi tjetër, paraprakisht duhet të jenë dhënë përgjigjet e duhura për këtë pyetje për aspektet politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, të marra së bashku në një plan afat-shkurtër dhe afat-gjatë. Se vetë kështu do të jemi të parapërgatitur për skenarët e ndryshëm që mund të krijohen pas ndërhyrjeve të lartpërmendura me veprime të mëtejshme efektive.
Ndaj, krahas stafeve qeveritare kërkohet edhe mendimi i agjencive dhe ekspertëve, i aleatëve dhe një konsultim gjeostrategjik; sepse pa këto elementë, nuk mund të ketë sukses në kuptimin e plotë të fjalës por më shumë ” një fitore si ajo e Pirros”. Neglizhenca dhe nënvleftësimi në këtë drejtim është i mbarsur me pasoja tejet të rënda, si jashtë ashtu dhe brenda vendit. Këtu fjala është për liderët e vendeve perendimore dhe demokratike; se sa për diktatorët dhe liderët autokratë, përvoja tregon se ata nuk duan t’ia dinë për to dhe për kostot njerëzore, materiale dhe financiare të vendimeve të tyre gjeopolitike. Pa shkuar larg në kohë, agresioni rus kundër Ukrainës përbën shembullin më të fundit dhe domethënës në këtë fushë. Ai nisi si një ”operacion special ushtarak” me synimin që Kievi të binte brenda disa ditësh; mirëpo, kanë kaluar mbi 4 vjet dhe fundi as që po duket, tanimë me humbje të mëdha ruse e cila po goditet nga Ukraina deri në Moskë dhe më 3 Qershor edhe në Saint Petersburgun e Putinit!
Duke iu rikthyer praktikës së vendeve perendimore, kjo çështje kritike ka dalë edhe më shumë në pah në 17 muajt e fundit pas rikthimit në Shtëpinë së Bardhë të Presidentit Donald Trump. Në pothuajse të gjitha vendimet dhe veprimet e tij gjeopolitike bie në sy mungesa e analizave gjithëpërfshirëse dhe veçanërisht e përgjigjeve të sakta mbi pyetjen e lartpërmendur. Kjo mungesë serioze ndodh kryesisht për shkak të doktrinës së tij transaksionaliste, e cila mbështetet mbi realizimin e ujdive të shpejta, ”blitz”, mania për fasadë, show dhe bujë! Siç pohojnë profesorët e shquar gjermanë të kësaj fushe, Thomas Jäger dhe Philipp Gassert ” Trump fillon një veprim pa ditur fundin; ai vepron në mënyrë impulsive, me padurim strategjik, pa mendim, pa plan dhe pa një qëllim të caktuar” Edhe diplomacinë ai e përdor për spektakël dhe për të tërhequr vëmendjen publike.
Në kritikat e tij të ashpra ndaj Presidentit Trump lidbur me ndërhyrjen në Iran javën e kaluar, të cilat mund të mos ishin bërë në publik, Kancelari gjerman Fridrich Merz u shpreh me të drejtë se ”kur hyn në një konflikt duhet të dish edhe si të dalësh” Ndërkohë, Trump nuk i zgjidh krizat, sepse pa mbaruar njera ai njofton për fillimin e tjetrës si tani me Kubën; kështu ndodhi në muajin Shkurt, kur ende pa u shuar jehona e krijimit të Bordit të Paqes për Gazën, SHBA-të ndërprenë bisedimet dhe filluan sulmin ushtarak ndaj Iranit, madje edhe tani merret me Kubën!
Le të jemi konkretë e të ndalemi në 5 momentet kryesore të muajve të fundit, kur Administrata amerikane ka ndërmarrë masa të ndryshme politike, ekonomike dhe ushtarake pa i dhënë përgjigje pyetjes së mësipërme jetike dhe vendimtare për suksesin e tyre të vërtetë dhe afat-gjatë. Po e fillojmë nga rasti më i freskët, ndërhyrja ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit, që tani ka hyrë në javën e gjashtë, pa asnjë shenjë të përfundimit të saj dhe me parashikime të zymta.
Shumë ekspertë pohojnë se i nxitur nga suksesi i luftës së vjetshme 12 ditore kundër Iranit dhe dobësimin e tij të ndjeshëm, Trump mendoi se fitorja do ishte e lehtë dhe e shpejtë falë supremacisë së padiskutueshme ushtarake amerikane. Madje, ai kishte njoftuar se lufta do të zgjaste vetëm 3 – 4 javë, me bindjen se pas ekzekutimit të udhëheqësve kryesorë iranianë, shkatërrimit të flotave ajrore, detare dhe armatimit, përfshirë kapjen dhe konfiskimin e uraniumit të pasuruar, gjithçka do të fliste ” blitz” për SHBA-të. Ky gjykim i gabuar bëri që Administrata amerikane të mos e vriste mendjen për hartimin dhe zbatimin e një plani tërësor, me strategji hyrëse dhe dalëse, jo vetëm me objektiva ushtarake, por edhe politike, ekonomike, diplomatike, etj. Asgjë nuk u tha për ndryshimin e rregjimit, për rolin e opozitës dhe liderëve të saj, etj. Kryesorja, askush dhe as vetë Trump nuk pyeti ndonjëherë se çdo të ndodhte, sidomos në rast se nuk realizoheshin objektivat dhe Irani ofronte rezistencë apo e shpërndante luftën edhe në fushën ekonomike, siç edhe po ndodh. E çuditshme se si nuk menduan se rregjimi iranian në 47 vitet e tij kishte ndërtuar jo një e dy, por shumë shtresa lidershipi, çka ka bërë të mundur që politikisht dhe institucionalisht ai të mos dobësohet, madje të forcohet më tej dhe krahu i vijës së ashpër të bëhet akoma më i rrezikshëm. Për pasojë, tani në Teheranin zyrtar veprojnë disa rryma, ku mbizotëron krahu më i ashpër, çka e vështirëson dialogun diplomatik, aq sa të gjithë ekspertët e pranojnë se komunikimi diplomatik ishte më i lehtë gjatë sundimit të Kameneit.
E keqja akoma më e madhe ishte se Trump injoroi sugjerimet e këshilltarëve lidhur me mundësinë e bllokimit nga Teherani të Ngushticës së Hormuzit, me pasoja të rënda për rajonin dhe ekonominë botërore. Ndaj bllokimin e saj nga Irani e krahasojnë me efektet e bombës atomike, çka e ka pranuar edhe Sekretari Rubio.
Për pasojë, zgjatja e luftës dhe tani së fundi gjendja ”as luftë as paqe” atje ka filluar të ketë pasoja të rënda edhe brenda SHBA-ve. Ca më tepër se në Nëntor do jenë zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin Amerikan, ku gjasat nuk janë premtuese për republikanët. Sondazhet më të fundit tregojnë se pakënaqësia me politikën e deritanishme të Presidentit Trump, sidomos me menazhimin e ekonomisë, rritjen e inflacionit/ çmimeve dhe shtrenjtimin e kostos së jetesës ka pësuar pikiatë, duke rënë në nivelet më të ulta historike, përkatësisht nën 40 dhe 30 për qind. Mirëpo, siç ka pohuar një republikan i njohur, nëse kjo tendencë do të vazhdojë, atëhere në zgjedhjet e mesmandatit në Nëntor MAGA do të masakrohet nga demokratët.
Duke kaluar në fushën ekonomike, dihet se qysh në fillimet e presidencës së dytë, Presidenti Trump u imponua me tarifa të larta doganore ndaj të gjitha vendeve, duke i përdorur ato si armë ndaj kujtdo që kundërshtonte politikat e tij. Mirëpo, sërish ai nuk i parapriu situatave dhe nuk parashikoi se çdo të ndodhte më tej. Ai la pas dore pasojat e këtyre tarifave për ekonominë dhe tregun amerikan të punës. Sipas shumë ekspertëve të mirënjohur amerikanë dhe të huaj këto tarifa nuk do e nxitin prodhimin vendës dhe investitorët e huaj do ngurojnë të shkojnë në SHBA.
Jashtë vendit, mbas Kinës, edhe BE-ja ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet dot gjë me konsultime, siç ndodhi dhe me propozimin e saj për “zero tarifa për mallrat industriale”, ajo do të ndërtojë “një paradigmë të re të tregtisë botërore” dhe do të hakmerret me masa të rrepta ndëshkuese. Me një katalog tejet të gjerë, të larmishëm dhe të frikshëm për SHBA-të, të cilat rrezikohet të “dalin me këpucë të kuqe” nga e ashtuquajtura W.W. FEE (Lufta Botërore e Tarifave). Veç sa më sipër, kjo mund të shoqërohet me forma të tjera ndëshkuese si bojkot të mallrave dhe shërbimeve amerikane, me rënie të investimeve të huaja në SHBA, për shkak të pasigurive të vazhdueshme, me rritje të çmimeve dhe inflacionit ose “stagnacion”, shtrenjtimin e kostos së jetesës, largimin e turistëve nga Amerika, për të mos folur për dëmet e mëdha të imazhit mbi SHBA-të.
Këtë alarm e kanë dhënë me kohë edhe ekspertët më të shquar ekonomikë dhe mbështetës të Trump. Ish-kryekonomisti i FMN-së, profesori i shquar i Harvardit, Kenneth Rogoff e thotë troç se “ky është eksperimenti më i keq ekonomik pas Luftës së II Botërore”. Edhe kryemenaxheri i Fondeve Federale të Investimeve amerikane, miliarderi Ackman ka deklaruar se “me këto tarifa Trump po shkon drejt një ‘lufte atomike’ me çdo vend të botës, se ky është gabimi më i madh që vjen nga një aritmetikë e keqe politike”. Për pasojë, Amerika e para rrezikon të kthehet në “Amerika e vetmuar” për të cilën askush nuk ka votuar në SHBA.
Të njëjtën mungesë ka patur edhe politika e dështuar e ultimatumeve nga Presidenti Trump. Ultimatume të shumta, që janë ndryshuar, janë shtyrë, të shoqëruara me kërcënime të ashpra ndaj Iranit si ” do ta kthej në epokën e gurit” do ta shuaj qytetërimin iranian” të cilat po të realizoheshin, ekspertët do t’i konsideronin krime lufte ose gjenocid dhe në fund nuk janë zbatuart fare! Kjo ka ndodhur se efektiviteti i ultimatumeve është marrë apriori si i mirëqenë, pa menduar se çdo të bëhet me to nëse si kur realizohen dhe nëse jo. Për pasojë, është krijuar një situatë paradoksale për SHBA-të, të cilat i ndërprenë në muajin shkurt negociatat diplomatike me Teheranin por tani janë të detyruara dhe po luten që t’i kthehen sërish diplomacisë! Atëhere përse u bë gjithë ajo luftë, kur Irani megjithë humbjet e mëdha nuk dorëzohet, madje ai luan me kohën dhe ka durimin në anën e vet, ndryshe nga Trump i paduruar!
Fare e pamenduar për pasojat e rënda gjeopolitike për SHBA-të dhe botën ishte kërcënimi i disa muajve më parë i Presidentit Trump për pushtimin me forcë të Groenlandës, nëse Danimarka dhe BE-ja nuk do t’ia shisnin asaj. Edhe në atë rast Trumpi nuk e kishte menduar se çdo të ndodhte paskësaj. Se dakord, falë fuqisë së saj ushtarake, SHBA-të mund ta pushtonin Groenlandën. Po pastaj? Çdo të bëhej me NATO-n, pjestarët europianë të së cilës do të detyroheshin të vinin në zbatim Nenin e famshëm 5 për t’u mbrojtur nga aleati i saj më i madh! Po imazhi i SHBA-ve, po politika dhe opinioni publik në SHBA dhe jashtë tyre? Mbi të gjitha, precedent negativ që do të krijohej, duke ia shtuar oreksin gjeopolitik vendeve të tjera për pushtime të ngjashme? Mendoni Kinën ndaj Tajvanit, Rusinë ndaj vendeve Balltike, Serbinë ndaj Kosovës dhe rajone të tjera si shinjestrat e rastit! Kur ligji i më të fortit do sfidonte forcën e ligjit ndërkombëtar? Dhe të gjitha këto kur SHBA dhe aleatët e saj i kishin dhe i kanë të gjitha mundësitë për t’i sheshuar dhe zgjidhur me mirëkuptim mosmarrëveshjet ashtu si në 80 vitet e fundit, duke forcuar dhe zgjeruar praninë amerikane dhe të NATO-s në Groenlandë, pa qenë nevoja për pushtimin e saj.
Tre rastet më të fundit kanë të bëjnë me kërcënimin amerikan për përjashtimin e Spanjës nga NATO, tërheqjen e Uashingtonit nga Aleanca dhe reduktimin/largimin e trupave amerikane nga Gjermania. Këto janë prapë paralajmërime foshnjore sepse sërish nuk kanë asnjë përgjigje për pyetjen ” Po pastaj?“; pra cilat do jenë pasojat, tanimë edhe për SHBA-të, nëse Spanja apo edhe SHBA-të largohen nga NATO? Në fakt, këtu kemi të bëjmë më tepër me qëndrime emocionale të çastit, me shfryrje mllefi dhe inati ndaj aleatëve se sa me logjikë real politike. Themi kështu mbasi përjashtimi i një vendi nga NATO nuk përfshihet në asnjë klauzolë të Traktatit përkatës. Por edhe sikur të vihej në diskutim një gjë e tillë, si për çdo vendim të NATO-s do të duhej konsensusi i të gjitha vendeve anëtare. Që këtu Trump ka dështuar. Ajo çka SHBA mund të bëjë, falë peshës dhe kontributit të saj në NATO është që të pengojnë ose vendosin veton mbi emërime të ndryshme të zyrtarëve ushtarake spanjollë në strukturat drejtuese të NATO-s. Mirëpo, kjo krahas prishjes së mirëbesimit dhe bashkëpunimit mes aleatëve, prapë do të ishte e pamundur mbasi vendet e tjera nuk do të japin konsensusin, çka ka ndodhur qysh tani; për pasojë, veç cënimit të kohezionit dhe imazhit të Aleancës, asgjë e mirë nuk do të vinte nga ky veprim, madje SHBA-të do të humbisnin edhe bazat e rëndësishme ushtarake në Spanjë.
E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me kërcënimin amerikan për largimin nga NATO apo pakësimin e trupave amerikane nga bazat ushtarake në Gjermani, sepse janë “thika me dy presa”. Natyrisht në një rast të tillë, NATO do të pushonte ekzistencën e vet, me pasoja të paparashikueshme për të gjithë, por edhe për SHBA-të, sidomos përballë kërcënimeve strategjike kineze, ruse, etj. Por edhe për humbjet e pallogaritshme për ta, mbasi aleatët nuk do të blinin më shumicën dërmuese të armëve dhe armatimit me vlera qindra miliarda dollarë të SHBA-të. Po ashtu, bazat e shumta dhe të domosdoshme amerikane në Europë, përfshirë dhe ato në Gjermani, nëse mbyllen ose reduktohen nuk do të ishin më disponibël as për SHBA-të, duke dobësuar ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse taktike dhe strategjike.
Nga ana tjetër, kur sulmon dhe kërcënon aleatët europianë, Presidenti Trump harron ose e nënvleftëson rëndësinë e tyre jetike për interesat strategjike amerikane. Për këtë mjafton të rikujtojmë paralajmërimin e ish Komandantit të NATO-s për Europën në vitet 2014 – 2017, gjeneralin amerikan Ben Hodges kur thotë se “ Sado e fuqishme, SHBA-të nuk i bën dot ballë e vetme sfidave të mëdha strategjike; ajo ka nevojë për aleatë dhe aleatët më besnikë dhe më të besueshëm janë europianët”! Ja pse ligjvënësit në Uashington po u bien fort borive të alarmit pas vendimit të Trump për tërheqjen e 5.000 trupave të parë nga Gjermania, sepse ato dobësojnë ndjeshëm kapacitetet e sigurisë dhe mbrojtëse europiane, por edhe ato amerikane!
Së fundi, këto shembuj, që nuk janë as të vetmit dhe as të fundit mjaftojnë për të kuptuar rëndësinë jetike të përgjigjeve në kohën e duhur ndaj pyetjes vendimtare gjeopolitike “ Po pastaj, çfarë do të ndodhë?”
