Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka bërë të ditur se së bashku me deputetë të tjerë të Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAC), dhe me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED), ka zhvilluar një vizitë disa ditore në Washington DC për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe ndikimet gjeopolitike në Ballkan.

Sipas Mediut, takimi i parë është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku delegacioni është pritur nga autoritete të larta të administratës amerikane.

Gjatë bisedimeve është theksuar rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja për forcimin e rezistencës ndaj ndikimeve të Rusisë dhe Kinës në rajon, si dhe intensifikimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

“Kina dhe Rusia, ndonëse ndjekin qasje të ndryshme, shpesh konvergojnë në objektivat e tyre strategjike në rajon. Përpjekjet për të ngadalësuar proceset euro-atlantike, kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës, nxitja e tensioneve rajonale dhe zgjerimi i ndikimit në sektorë strategjikë si energjia, teknologjia, infrastruktura kritike, mbrojtja dhe minierat mbeten shqetësime serioze për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit”, shprehet Mediu.

Ai ndau edhe një moment që e cilësoi veçanërisht emocionues gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, ku takoi Klausin, një shqiptar me origjinë nga Korça, i cili emigroi në SHBA në moshën pesëvjeçare dhe aktualisht shërben në strukturat e sigurisë përgjegjëse për mbrojtjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Fjala e plotë;

Së bashku me kolegë deputetë të IPAC (Aleanca Ndërparlamentare për Kinën), me mbështetjen e NED (National Endowment for Democracy), zhvilluam një vizitë disa ditore në Washington DC për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe ndikimet gjeopolitike në Ballkan.

Takimi ynë i parë u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku u takuam me autoritete të larta të administratës amerikane.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja për të forcuar rezistencën ndaj ndikimeve keqdashëse të Rusisë dhe Kinës, si dhe për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Kina dhe Rusia, ndonëse ndjekin qasje të ndryshme, shpesh konvergojnë në objektivat e tyre strategjike në rajon. Përpjekjet për të ngadalësuar proceset euro-atlantike, kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës, nxitja e tensioneve rajonale dhe zgjerimi i ndikimit në sektorë strategjikë si energjia, teknologjia, infrastruktura kritike, mbrojtja dhe minierat mbeten shqetësime serioze për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit.

Një moment veçanërisht emocionues ishte takimi në Shtëpinë e Bardhë me Klausin, një shqiptar me origjinë nga Korça, i cili emigroi në SHBA në moshën pesëvjeçare dhe sot shërben me sukses në strukturat e sigurisë përgjegjëse për mbrojtjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Një histori frymëzuese suksesi dhe krenarie për shqiptarët.

Vizita vazhdon me takime në Senat dhe Kongres për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit strategjik mes SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: