Mobilizimi qytetar përbën ndër temat më të trajtuara e për rrjedhojë të debatuara të teorisë politike. Gjithsesi shqiptarëve nuk ju desh ndonjë takim special me hulumtues të mobilizimit popullor për të shtruar një lukuni pyetjesh me gjasë të duhura. Ky shkrim nuk ka aspak për qëllim sintezë mediokre teorish ekzistuese, por tentativën për të shpjeguar paradoksin e pikëpamjeve që gëlojnë me nisjen dhe zgjerimin e protestës.

E gjitha nis me pyetjen e hershme dhe të domosdoshme, psenë. Rebelimi kundrejt perceptimit të padrejtësive është thuajse përherë emëruesi i përbashkët. Thënë kjo, pse-ja përbën një matrioshkë topolake të pafundme sepse çdo pse përmban një tjetër pse dhe të tjera si. Matrioshka më bufalaqe përbën arsyet kryesore të kësaj revolte dhe këto arsye na dakordësojnë të gjithëve ne të papajtueshmëve. Konjuktura e vështirësuar e përditshmërisë shoqëruar me rrethanat politike të dhjetë vjeçarit të fundit kanë krijuar kushtet optimale për autokracinë demokratike që dëshmojmë sot. Megjithëse asgjë nuk ka ndryshuar në thelb me proçesin zgjedhor, vota është zhvlerësuar
eksponencialisht. Inflacioni i votës nuk është koncept ekonomik, por është realitet politik shqiptar. Për arsye të pavarura nga vullneti popullor alternativa politike është bërë e pamundur. Kjo për shkak të mjeshtërisë makute në manovrimin e teknologjisë politike që s’është tjetër veçse manuali mbi teknikat e njohura e të provuara të manipulimit politik.

Gjithsesi, teoria kërkon usta për të ardhur në jetë, por edhe ustait i duhet pak fat kur bëhet fjalë për teknologji të këtyre përmasave. Thënë ndoshta më qartë, pavarësisht gjithë manovrave dhe mjeteve të përdorura nga qeveria për të mbajtur pushtetin, kasaphana që prodhoi opozita në vite qe megjithëse fat i ndihmuar, përsëri fat i madh për konsolidimin e hegjemonisë së këtij pushteti. Sidoqoftë, një tjetër terren dakordësie e të papajtueshmëve është bllokimi i plotë i alternativës së prekshme politike. Këta nuk i duam, por ata që duam për momentin nuk ekzistojnë.

Ky dreq ngërçi kontribuoi në atë që u duk si apolitizim i një ndër shoqërive më të politizuara europiane. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve, të majtë a të djathtë qofshin morën dalëngadalë distancë nga përfaqësimi identitar me partitë tradicionale PS-PD. Kjo krijoi terrenin për një situatë të harruar prej kohësh në Shqipëri, ndoshta që prej dekadave të para të shtetformimit tonë, atë të reflektimit parimor politik. Nuk mendoj se ekzagjëroj, kur i lejoj vetes të them se parimet dhe reflektimet e distancuara nga interesat kanë qenë thuajse inekzistente për pjesën dërrmuese, përveç ndoshta momenteve episodike, në Shqipërinë e lirë, atë të 35 viteve të fundit. Kjo liri e mendimit individual politik qe i gjithi proçes që kulmoi me protestën fenomenale të këtyre ditëve që u dekorua me emrin Revolucioni i Flamingos.

Them proces sepse u kërkua kohë që të formësohej terreni shoqëror i aftë të mirëpresë protestë të kësaj forme. Ishte 2020-ta, kur gjatë çmendurisë Covidiane një efektiv policie qëlloi fatalisht një djalosh që nuk ju bind duke mos pranuar orarin e shtetrrethimin absurd ato kohë histerie. Atëherë shkrova disa rreshta ku thërrisja ndoshta me shpresë më tepër se me prova për fitilat e revoltës shqiptare: “Vjen një moment kur njeriu zhvillon një prej shprehive më të rëndësishme, revoltën. Ajo shfaqet kur durimi tejkalon disa caqe dhe njeriu ndërgjegjësohet për shtypjen që po i bëhet.

Kaq shumë padrejtësi e tallje u akumuluan gjatë viteve, kaq tentativa revolte sa revolta po konsolidohet si trajtë e popullit tonë dhe për rrjedhojë po tregohet forca e karakterit të po këtij kombi.” Besoja dhe shkruaja vet në dhjetor 2020. U deshën gjashtë vite nga ai çast dhe 83 mandate që kurorëzuan hegjemoninë e pakontestuar të cirkut pushtetar që të shfaqej kjo fytyrë e padëshmuar më parë në Shqipërinë e 35 viteve të fundit.

Sigurisht që kjo protestë nuk merr këto përmasa për Flamingot, megjithëse na u deshën si për të ndezur reagimin popullor ashtu edhe për të qëndruar si simbol përbashkimi. Është reagim për skandalet e pasosura korruptive, për bashkëpunimin flagrant me krimin e organizuar, për pastrimin e parave, për onkologjikun, për boshatisjen hemoragjike të vendit në emigrim, për AKSH-in, për investitorët strategjikë, për grykësinë e interesave meskine, për guximin e imponimit të përfaqësisë legjislative me njerëz të rëndomtë e të pazgjedhur, për meritokracinë e munguar, për skllavërimin elektoral për një vend pune, për teatrin që e prishën si bandit në mes të natës pavarësisht vullnetit popullor, për mungesën absolute të dëgjesës, për mungesën totale të përgjegjësisë përpara shqiptarëve, për guximin e përrallave me mbret që tregohen nga tellallë të paguar, dhe sigurisht për talljen, fodullëkun dhe arrogancën e pashoqe. Të gjitha të pranuara kolektivisht nga pamundësia për reagim popullor, por qoftë edhe individual.

Që kjo protestë të ekzistonte kështu sot u desh gjithë kjo andrallë dhe është sigurisht e huaj. Kjo jo sepse ka kombësi tjetër, por sepse është një fytyrë e Shqipërisë që nuk është parë më parë. Për rrjedhojë, narrativat që ushqejnë mosbesimin e trashëguar e të rrënjosur në psikologjinë kolektive shqiptare i shtyjnë njerëzit të besojnë se pas asaj që duket fshihen arsye dhe interesa të tjetërsoji, por që në thelb i përkasin peizazhit të njohur politik shqiptar. I përkasin edhe fytyrës që i njohim shoqërisë shqiptare, e përshkruar në një postim të shpërndarë gjithandej këto ditë se “një popull që prish foletë e dallëndysheve nëpër ballkone nuk mund të gdhihet një mëngjes adhurues i
kallamishtes së famingos që nuk e ka parë kurrë me sy”. Mosbesimi si karakteristikë e jona është instrument i përftuar, i farkëtuar si pasojë e nevojës për të mbrojtur veten në çdo kohë edhe prejt të ngjashmit.

Kështu kontestohet kjo fytyrë e re e padëshmuar e Shqipërisë së Revolucionit Flamingo, nëpërmjet arsyetimeve që në fakt ekzistojnë në teoritë e shkencës politike. Ka sigurisht teori e praktikë të mobilizmit të burimeve të domosdoshme për të organizuar dhe ndihmuar një protestë. Ka nevojë për instrumente nga më të ndryshmit, që i trajtojnë hulumtues si McCarthy, Zaldi apo të tjerë dhe që një pjesë e opinionit publik i shtron me të drejtë pa pasur nevojë të lexojë asnjë nga këta, por duke njohur realitetin e vet.

Sigurisht që në një protestë që mbledh mijëra individ, ka ndër ta edhe grupe interesi, por kjo s’do të thotë as që ky mobilizim është grup interesi e as që na paska një konspiracion revizionist të teorive nga më të shfrenuarat. Më parë pranojmë përallisjet që na mundësojnë shpalosjen e një qëllimi të prekshëm se këtë fytyrë të re. Vetëm e vetëm se s’ka mundësi të jetë e re, se s’e kemi ndeshur më parë.

Por ama, ne të papajtueshmit biem dakord për arsyet e ekzistencës së indinjatës kolektive dhe jo për mishërimin e vet në këtë marshim të përditshëm qytetar. Sidoqoftë, matrioshka që përmban qoftë realitetin në terren, qoftë teoritë që e kanë përshkruar këtë realitet pa e njohur akoma tregojnë se ky proçes është i gjatë dhe ndryshimi nuk mund të jetë i menjëhershëm. Ky është proçes me etapa ku kthesa nuk është e garantuar ashtu si nuk na garantohet asgjë tjetër. Njerëzit nuk dalin rrugëve sepse vuajnë, por sepse ndajnë interpretim të përbashkët të problemit se kush janë përgjegjësit dhe cilat janë padrejtësitë.

Sigurisht në këto kushte na mungon ende elementi zgjidhje. Por, ashtu si kjo fytyrë e re e Shqipërisë, që habiti qytetërime me kultura të zhvilluara protestash këto ditët e fundit, nuk mund të shfaqej pa terrenin që
e formësoi, edhe alternativat e zgjidhjet kanë nevojë për kohë që të shfaqen si të mënjëhershme.

Nuk përbën Shqipëria rast të izoluar, mund ta krahasojmë lehtësisht me Hungarinë e hegjemonisë së pushtetit të Viktor Orbanit dhe oborrtarëve të vet që i kishte shtrirë tentakulat në çdo pushtet, pa alternativë të mundshme. Por, kur alternativa u shfaq, Peter Magyar fitoi ashtu si nuk konceptohej disa vite më parë sepse terreni ishte gati ta mirëpriste.

Mungesa e alternativës direkte sot nuk do të thotë se kjo protestë është e kotë, përkundrazi kjo protestë është ajo që kthen faqen e Shqipërisë së re. Nuk është më “Fillimi Ri” që bërtiste kur kishte ende drojë në shprehinë publike Rama e një epoke tjetër. Është dëshmia se jemi mijëra që mendojmë njësoj për rrethanën tonë, mijëra vota në pritje të alternativave të Shqipërisë që na takon, të një vendi normal, të Shqipërisë që duam të ndërtojmë vet, të pranimit se i ka ardhur fundi një brezi të tërë politikanësh që janë rritur në një Shqipëri që nuk ekziston më dhe që e transformuan vet në atë që ne kontestojmë sot. Ata qenë produkt i një sistemi që i la vraga të parikuperueshme, qenë më pas produkt i kaosit të xhunglës së tranzicionit direkt pas kthetrave të një regjimi që u imponoi gjithçka dhe qenë më vonë pre e grykësisë në Shqipërinë e informalitetit ku gjithçka ishte e mundur. Sot janë në kapitullin e tyre të fundit.

Fund që nuk e dimë sot sa do të zgjasë, por fund gjithësesi. Ky fund takohet sot me fillimin tonë, fillim që ka fytyrën e kontestuar si gjithçka e huaj e panjohur, fytyra e Revolucionit Flamingo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb