Një nga aktivistët e protestës masive të qytetarëve shqiptarë, e cila ka mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbrëmjen e sotme, ka drejtuar një apel të rëndësishëm për të gjithë pjesëmarrësit në shesh. Ai kërkoi që qytetarët të tregojnë kujdes dhe një nivel të lartë kulture, duke u dalluar qartë nga sjellja e klasës politike.

Aktivisti paralajmëroi se po tentohen provokime të ndryshme dhe se ka tentativa për të infiltruar militantë partiakë që synojnë të marrin fjalën në podium apo të përçajnë qëndresën qytetare. Ai nënvizoi prerë se personat e tillë janë të fotografuar dhe nuk do të lejohen të marrin hapësirë.

“Nuk jemi këtu për karrigen e askujt, jemi për Shqipërinë. Jepini zë figurave dhe intelektualëve. Aktivistët politikë i kemi evidentuar, i kemi me foto, mos u mundoni të vini të flisni këtu”, deklaroi ai prerë përpara turmës.

Më tej, ai u bëri thirrje protestuesve që pas përfundimit të tubimit të shpërndahen të qetë dhe të mos shkojnë përpara asnjë selie partie, duke shmangur kështu çdo skenë të mundshme provokimi. Sipas tij, dinjiteti i kësaj proteste qëndron pikërisht te diferenca e madhe që qytetarët e thjeshtë kanë me ata që drejtojnë vendin.

“Të tregojmë se ne jemi më me kulturë se ata që kanë 35 vite që shajnë në parlament dhe na tregojnë ne kulturën. Ju lutem, t’i tregojmë kulturën atyre njerëzve, të largojmë partiakët dhe aktivistët”, u shpreh qytetari mes duartrokitjeve.

Ky mesazh për vetëpërmbajtje dhe pastërti të kauzës i shtohet atmosferës madhështore të mbrëmjes, ku krahas thirrjeve për largimin e Ramës, banderolës gjigante “Shqipëria është gjallë!”, dhe emocioneve që dhuroi vogëlushja duke recituar Nolin siç pasqyrohet në imazhin rtrty.JPG, qytetarët treguan se janë të vendosur ta mbrojnë protestën nga çdo skenar manipulimi politik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb