Kryeministri Edi Rama në 35 vjetorin e PS ka nisur takimin me socialistët në Elbasan. Gjatë fjalës së tij Rama u ndal fillimisht te situata në Zvërnec, duke thënë se njerëzit atje, sipas tij janë pro zhvillimit.

“Duke nisur nga ata që janë atje nga zona e atij zhvillimi, janë të gjithë për atë zhvillim. Nuk duhen ngatërruar gjërat. Janë bërë shumë vite që t’u flitet atyre që janë këtu gjenerata më e re që erdhën dhe u bashkuan me veteranët. As nuk e kanë idenë se çfarë ishte koha, rruga dhe sfida e PS në krijimin e saj. Në vitet kur të ishe anëtar i PS jo e lehtë. Shumë socialistë nuk kishin të drejtën e një pune sepse ishin anëtar të PS. Sot nuk duhet të humbim më trenat e historisë së këtij vendi. Kemi humbur shumë kohë shumë mundësi kemi humbur disa herë trenin e historisë dhe kemi mbetur në buzë humnerash”, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri Rama solli sërish shembullin e Malit të Zi, ndërsa protestën e cila është mbajtur prej 7 ditësh dhe sot është në ditën e saj të 8 e quan një çoroditje.

“Shikojini fqinjët tanë. Nuk po ju them Italinë se është ndër 7 vende më të pasura të botës, por shikoni Greqinë dhe se çfarë ka bërë me turizmin dhe se sa shumë ka fituar prej turizmit. Shikoni Malin e Zi, shihni se ku ka arritur. Mali i Zi ka bërë atë që sot na ka ardhur radha ta bëjmë ne dhe për të cilën kanë dalë në protestë ata atje. Është bërë një çorodi e madhe, duke ngatërruar pasionin për mjedisin, me lloj lloj axhendash dhe qëllimesh të tjera. Mali i Zi nuk do ishte ky që është sot, nëse projekti që hapi rrugën e transformimit të Malit të Zi do të ishte bërë këtu. Ata që thonë nuk na duhet turizmi i luksit se nuk kemi lek, nuk e dinë se ato resorte e hotele, janë motorë të ekonomisë së tyre dhe vendit që i ka”, tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: