Në “Shtëpinë e Futbollit” u prezantua sot raporti “UEFA Grow Market Research”, një analizë e realizuar nga UEFA në bashkëpunim me agjencinë prestigjioze Nielsen Sport, që sjell të dhëna të rëndësishme mbi perceptimin, zhvillimin dhe ndikimin e futbollit në Shqipëri. Në këtë aktivitet morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përfaqësues të UEFA-s, partnerë institucionalë dhe përfaqësues të medias.

Raporti evidenton se Shqipëria renditet e para në Europë për interesin ndaj futbollit, me 78% të të rriturve që deklarojnë se janë të interesuar për këtë sport, një shifër dukshëm më e lartë se mesatarja europiane prej 48% dhe në rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2016, kur ky tregues ishte 65%.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, falënderoi UEFA-n dhe Nielsen Sport për realizimin e studimit, duke theksuar se kërkime të tilla kanë luajtur një rol të rëndësishëm në orientimin e strategjive të Federatës për zhvillimin e futbollit shqiptar.

“Dua të falënderoj përfaqësuesit e UEFA-s dhe të kompanisë ‘Nielsen Sport’ për pjesëmarrjen dhe punën e bërë në këtë studim, në lidhje me të dhënat për futbollin në Shqipëri.

Padyshim që dua ta falënderoj UEFA-n për të gjithë mbështetjen që i jep Federatës Shqiptare të Futbollit, jo vetëm me projekte dhe iniciativa, jo vetëm me këtë studim, por edhe me studime të tjera, të cilat na ndihmojnë të ndërtojmë më mirë strategjinë e zhvillimit të futbollit dhe të përcaktojmë prioritetet që duhet të kemi në rrugën tonë për realizimin e objektivave, duke e bërë futbollin sa më atraktiv, sa më të bukur dhe sa më lider në vendin tonë.

Gjetjet e këtij kërkimi janë vërtet impresionuese, sepse Shqipëria renditet e para në Europë për interesin ndaj futbollit, me 78% të njerëzve që shprehin interes për këtë sport. Ky është një lajm i mirë dhe obligues në të njëjtën kohë. Krahasuar me vitin 2016, kur ky tregues ishte 65%, tashmë ka arritur në 78%, shumë mbi mesataren europiane prej 48%”, tha Presidenti Duka, duke shtuar:

“Ky është një lajm i mirë, por në të njëjtën kohë edhe një obligim, sepse Federata Shqiptare e Futbollit duhet të punojë edhe më shumë për të përmbushur pritshmëritë e tifozëve dhe për të realizuar dëshirat e të gjithë të interesuarve për futbollin.

Futbolli është sporti më i ushtruar dhe më i luajturi në Shqipëri, me 34% të të rriturve që merren me sport dhe 41% të fëmijëve.

Këto të dhëna, padyshim, kanë ardhur edhe falë projekteve të Federatës Shqiptare të Futbollit, si ‘Uniforma Ime’, ‘Topi Im’, si edhe falë përmirësimeve në infrastrukturë. Të gjitha gjetjet e këtij studimi do të shërbejnë si një busull edhe më e qartë për ne dhe për të ardhmen.

Dua të garantoj të gjithë ata që kanë interes për futbollin se Federata Shqiptare e Futbollit do ta ketë objektiv përmirësimin e mëtejshëm të punës së saj. Megjithëse, sipas këtij studimi, imazhi i Federatës është përmirësuar krahasuar me vitin 2016, me 5% më shumë, duke arritur sot në 52% imazh pozitiv.

Këto shifra do të jenë një busull e rëndësishme për ne në përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në vend”, – u shpreh Presidenti Duka.

Sipas raportit, futbolli vazhdon të jetë sporti më i praktikuar në Shqipëri, me 34% të të rriturve dhe 41% të fëmijëve që angazhohen në aktivitete futbollistike. Gjithashtu, futbolli gëzon imazhin më pozitiv ndër të gjitha sportet në vend, me një vlerësim mesatar prej 7.5 nga 10, duke lënë pas sportet e tjera si volejbolli dhe atletika.

Studimi evidenton gjithashtu rritjen e interesit për Kombëtaren shqiptare, e cila ka kaluar nga 61% në vitin 2016 në 66% aktualisht. Ndërkohë, ndërgjegjësimi për ekipet kombëtare të moshave dhe për Kombëtaren e vajzave ka njohur rritje të konsiderueshme, duke reflektuar efektet pozitive të investimeve në zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet.

Një tjetër tregues pozitiv lidhet me perceptimin publik ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit. Sipas raportit, 47% e të anketuarve kanë një opinion shumë pozitiv për FSHF-në, ndërsa vlerësimi mesatar i imazhit të institucionit arrin në 7 nga 10, një rezultat mbi mesataren europiane dhe mbi nivelin e federatave të tjera sportive në Shqipëri.

Arsyet kryesore që ndikojnë në këtë perceptim pozitiv janë progresi i vazhdueshëm i futbollit shqiptar, rezultatet e Kombëtares, përmirësimi i infrastrukturës sportive dhe puna transformuese e realizuar në vitet e fundit.

Raporti “UEFA Grow Market Research” do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për Federatën Shqiptare të Futbollit në përcaktimin e prioriteteve dhe strategjive të ardhshme, me synimin për të forcuar më tej pozicionin e futbollit si sporti më i dashur dhe më i ndjekur në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb