Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka folur sërish rreth pretendimeve dhe strategjisë së tij ndaj Iranit, veçanërisht sa i përket mundësisë së marrjes nën kontroll të ishullit strategjik Kharg. Në një intervistë të dhënë së fundmi për median amerikane “Fox News”, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka shfaqur një qëndrim më të tërhequr, duke zbutur disi kërcënimet e tij të mëparshme.
Trump pranoi se preferenca e tij personale do të ishte pikërisht marrja e ishullit Kharg, por nga ana tjetër shprehu rezerva të mëdha nëse një operacion i tillë do të mbështetej nga pjesa tjetër e lidershipit apo opinionit publik në SHBA. Ai u shpreh se nuk e di nëse Amerika e ka “oreksin” për një hap të tillë, duke shtuar se beson që njerëzit do të donin më shumë t’i shihnin trupat amerikane të ktheheshin në shtëpi, një deklaratë kjo që ai e ka përsëritur edhe më parë.
Pavarësisht retorikës së ashpër, presidenti amerikan bëri të ditur se Uashingtoni zyrtar është ende duke negociuar me Teheranin në përpjekje për të arritur një marrëveshje të mundshme. Megjithatë, Trump nuk kurseu vlerësimet për palën tjetër në tryezë, duke i cilësuar iranianët si një popull “krenar”.
Në mbyllje të deklaratës së tij për “Fox News”, Trump zbuloi edhe kufijtë e asaj që SHBA është e gatshme të bëjë në rast të një përshkallëzimi të mundshëm ushtarak. Ai theksoi se do të preferonte të mos shpërtheheshin ura apo termocentrale në Iran, duke shtuar prerazi se nuk dëshiron në asnjë mënyrë që t’i lejë qytetarët iranianë pa ujë të pijshëm.
