Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) e përshëndeti arritjen e marrëveshjes kornizë mes SHBA-së dhe Iranit dhe uroi presidentin amerikan Trump për një “arritje diplomatike historike”. Marrëveshja mund të hapë rrugën për një rimëkëmbje të ekonomisë botërore dhe stabilizimin e rajonit”, deklaroi Merz natën mes të dielës dhe të hënës (15.06.).

Njëkohësisht, Kancelari gjerman, Merz kërkoi që “ajo që është rënë dakord të zbatohet me vendosmëri”. Ngushtica e Hormuzit, e rëndësishme për tregtinë globale të naftës dhe gazit të lëngshëm, duhet të “mbetet e hapur në mënyrë të përhershme dhe pa kufizime për lundrimin e lirë”, u shpreh kancelari gjerman.

Për më tepër, negociatat e tjera duhet “në javët në vijim të sigurojnë që Irani ta përfundojë në mënyrë të verifikueshme programin e tij bërthamor ushtarak”. Gjithashtu, nuk duhet të ketë “sulme të tjera kundër Izraelit dhe vendeve të tjera fqinje në rajon”.

Kurse Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se, në kuadër të samitit të G7 që nis të hënën në Evian të Francës, do të zhvillohen bisedime për hapjen e përhershme të Ngushticës së Hormuzit.

“Qëllimi do të jetë të shqyrtohen pasojat e kësaj marrëveshjeje, mbështetja për Libanin, rihapja e përhershme e Ngushticës së Hormuzit dhe, natyrisht, përfundimi i një marrëveshjeje për programin bërthamor dhe atë të raketave në Iran”, tha Macron të dielën në mbrëmje në një mesazh video të publikuar në platformën online Instagram.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: