Dalja e deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk është thjesht një lëvizje individuale politike.
Koha në të cilën ajo zgjodhi ta bëjë publik vendimin, i jep atij një peshë të veçantë.
Dy javë pasi protesta qytetare ka mbushur sheshet dhe ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik brenda dhe jashtë vendit, një deputete e shumicës vendos të largohet nga grupi që mban pushtetin.
Në deklaratën e saj, Koçeku foli për parime dhe për kufij që, sipas saj, nuk mund të tejkalohen. Ishte një mënyrë për të lënë të kuptohet se nuk e shihte më veten pjesë të një grupi politik që qeveris vendin me mënyrën si e qeveris. Edhe pse nuk artikuloi akuza të drejtpërdrejta, mesazhi ishte i qartë. Sipas saj, ka momente kur bindjet personale peshojnë më shumë se disiplina partiake.
Reagimi në rrjetet sociale për vendimin e deputetes socialiste ishte i menjëhershëm dhe thuajse unanim. Largimi i saj nga PS u pa si një shembull i rrallë i vendosjes së parimeve mbi interesin politik. Shumë qytetarë e përshëndetën vendimin e saj si një akt guximi politik, ndërsa protestuesit e ftuan publikisht t’u bashkohej në shesh dhe të fliste para tyre.
Ndoshta edhe në korridoret e Kuvendit ka deputetë që e shohin me admirim këtë hap. Ndoshta disa prej tyre ndajnë të njëjtat dilema, të njëjtat pakënaqësi apo të njëjtat rezerva. Por jo të gjithë kanë lirinë, vullnetin apo kurajën për të bërë atë që bëri Marjana Koçeku.
Politika shqiptare ka treguar shpesh se largimi nga shumica kërkon forcë dhe gatishmëri për të përballuar pasojat.
Për këtë arsye, pavarësisht bindjeve politike që mund të ketë secili, vendimi i Neomalësores ka ngjallur interes.
Në një kohë kur shumica e politikanëve akuzohen se vendosin karrierën përpara parimeve, ky largim është një kujtesë se ka individë që zgjedhin të ndjekin ndërgjegjen e tyre, edhe kur kjo rrugë është më e vështira.
