Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se kishte qenë i gatshëm të zhvillonte një takim me presidentin rus Vladimir Putin gjatë samitit të G7-ës në Francë, duke e cilësuar atë si një mundësi të rëndësishme për avancimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

“Ne dërguam mesazhin se jemi gati të takohemi me Putinin gjatë G7-ës, sepse atje ndodhen Donald Trump dhe Emmanuel Macron, pra Shtetet e Bashkuara dhe liderët evropianë. Mendoj se do të ishte një mundësi shumë e mirë që të mblidheshim të gjithë së bashku. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ishin dakord, dhe Rusia tregoi përsëri… se nuk është gati të flasë”, tha Zelensky para gazetarëve.

Sipas tij, Ukraina kishte propozuar zhvillimin e këtij takimi në kuadër të samitit, por presidenti rus nuk ishte i gatshëm të merrte pjesë në bisedime.

Zelensky i bëri këto komente nga një manastir historik në Kiev, i cili u dëmtua gjatë një sulmi rus gjatë natës. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kishin rënë dakord me idenë për një takim të tillë në margjinat e samitit të G7-ës.

Deklaratat e presidentit ukrainas vijnë në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës mbeten në qendër të vëmendjes së liderëve botërorë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb