Gjykata Kushtetuesenë Maqedoninë e Veriut ka miratuar vendimin për shfuqizimin e emrave të rrugëve në Tetovë, të cilët ishin miratuar nga Këshilli i Komunës në vitin 2007. Vendimi është marrë me pesë vota “pro”, ndërsa kundër kanë votuar dy gjyqtarët shqiptarë dhe gjyqtari turk.

Iniciativa për shqyrtimin e çështjes ishte dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941–1945, e cila argumentoi se ndryshimi i emërtimeve ishte bërë pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me ligjin që rregullon emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore.

Në fokus të vendimit janë emra si “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit”. Për një pjesë të shqiptarëve të Tetovës, këto emërtime konsiderohen simbol i procesit të përfaqësimit më të drejtë të historisë dhe identitetit shqiptar në hapësirën publike pas Marrëveshja e Ohrit.

Emrat e vjetër do t’u rikthehen edhe rrugëve “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Krushevska Republika” dhe do të quhen sipas politikanit dhe udhëheqësit ushtarak jugosllav, Ivo Llolla Ribar. Në listë janë edhe dy rrugë që mbajnë emrat e dy figurave të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Abdyl dhe Sami Frashëri, tanimë këto emra do të zëvendësohen me emrat e vjetër të diktatorit rus “Lenin” dhe partizanit “Radovan Coniq”. Do të hiqet edhe emri i rrugës “Metodija Andonov Çento”, ndërsa tani do të quhet sipas partizanit slloven Boris Kidriç.

Mbështetësit e vendimit argumentojnë se ndryshimet e vitit 2007 janë bërë në kundërshtim me procedurat ligjore dhe se rikthimi i emërtimeve të mëparshme përbën korrigjim të një procesi të paligjshëm. Në këtë linjë është shprehur edhe Darjan Sotiroski, i cili ka përshëndetur rikthimin e emrave të mëparshëm si “Josip Broz Tito”, “Radovan Coniq”, “Ivo Lola Ribar” dhe “29 Nëntori”.

Vendimi ka nxitur reagime të ashpra nga partitë shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim e ka cilësuar zhvillimin si pjesë të një fushate kundër arritjeve politike të shqiptarëve, ndërsa Arbër Ademi ka deklaruar se bëhet fjalë për një “Gjykatë destabilizuese” dhe për një kthim prapa në kohë.

Debati rreth emrave të rrugëve shkon përtej aspektit juridik. Emërtimet e hapësirave publike vazhdojnë të mbeten çështje me ngarkesë të fortë historike, politike dhe identitare. Vendimi i fundit pritet të thellojë diskutimet mbi përfaqësimin e kujtesës kolektive dhe historisë në hapësirën publike të qytetit.

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb