Ndëshkimi i paprecedentë i diasporës që udhëtuan drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar tubimeve ka qenë një nga temat më të nxehta të ditës së 23-të të protestës masive mbarëpopullore përpara Kryeministrisë.
Një nga qytetaret që mori fjalën përpara turmës masive ka denoncuar me tone të ashpra vendosjen e gjobave maksimale ndaj automjeteve të emigrantëve, duke e cilësuar këtë si një hakmarrje të pastër politike të qeverisë.
Protestuesja zbardhi situatën e rëndë në pikat kufitare, ku sipas saj, shqiptarët e ardhur nga jashtë vendit po bllokohen dhe po detyrohen të paguajnë shuma të mëdha përpara se të lejohen të kthehen në vendet e tyre të punës.
“Si e priti diasporën Rama këtu? Të gjitha makinat e diasporës janë gjobitur me gjobat maksimale! Mbi 125 mijë lekë ose 450 mijë lekë! Është e papranueshme që bijtë tanë të gjobiten me gjoba maksimale! Turp! Rama jepe dorëheqjen! Rama na ke zhgënjyer!”, deklaroi qytetarja e revoltuar në bulevard.
Më tej, ajo tregoi sagën e vështirësive me të cilat po përballen emigrantët në kufi, ku mungesa e pikave të pagesës i ka detyruar ata të kthehen pas nëpër qytete nën një stres të madh financiar dhe kohor.
“Emigrantëve u duhet të kthehen në punë dhe nuk i kanë lejuar të kalojnë kufirin pa paguar gjobat. Iu desh të kthehen prapë sepse nuk kishin ku të paguanin gjobat që të largoheshin sërish! Turp!”, përfundoi protestuesja, duke shkaktuar thirrje në kor kundër qeverisë nga mijëra qytetarët e pranishëm në shesh.
