Ish-deputeti, gazetari dhe shkrimtari Ben Blushi do të jetë sot në Elbasan për prezantimin e romanit të tij më të ri, “Jam mysliman”. Aktiviteti letrar shoqërohet edhe me një mesazh të publikuar prej tij në rrjetet sociale, ku ai rikthen në vëmendje lidhjen me qytetin dhe episodet e mëparshme të tensionuara gjatë prezantimeve të tij publike.
Blushi kujton se në vitin 2013 ai ka udhëhequr listën e Partisë Socialiste në Elbasan, duke theksuar se disa nga shqetësimet që kishte ngritur atëherë, sipas tij, u reflektuan me kalimin e kohës në zhvillimet e mëvonshme në qytet. Ai shton se pavarësisht kësaj historie, rikthimi i tij nuk shoqërohet nga asnjë ndjenjë inati, por nga dëshira për takime me miq dhe për diskutim mbi letërsinë dhe aktualitetin.
Në mesazhin e tij, shkrimtari thekson gjithashtu se shpreson që pjesëmarrësit në takim të mos ndikohen nga presione apo intimidime, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë lirshëm në aktivitetin e organizuar në orën 18:00 në hotel “Skampa”.
Ai e paraqet takimin si një bisedë të hapur rreth romanit të tij “Jam mysliman”, një vepër që ka ngjallur debat publik, por edhe si një mundësi për të diskutuar zhvillimet aktuale në vend.
Blushi kujton edhe periudhat e mëparshme kur, sipas tij, aktivitetet e tij në Elbasan janë shoqëruar me tensione dhe kundërshti, përfshirë edhe episode të vitit 2016 gjatë një takimi politik, ku pati reagime të forta ndaj tij në sallë. Ai ka përmendur më herët se ato momente i ka konsideruar si një “gjyq” jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprës së tij letrare. Sipas tij, sot situata është ndryshe dhe librat e tij qarkullojnë lirshëm, ndërsa rikthimi në Elbasan kësaj here lidhet ekskluzivisht me letërsinë dhe promovimin e romanit të ri.
