Vërshëllima për Partey

Një video që qarkullon në rrjetet sociale duket se tregon mbrojtësin anglez Djed Spence duke refuzuar t’i shtrëngojë dorën mesfushorit ganez Thomas Partey para ndeshjes së djeshme në Boston. Thomas Partey u vërshëllye nga tifozët anglezë në debutimin e tij në Botëror, pasi kishte humbur ndeshjen e parë të kombëtares së tij në turne, pasi i ishte refuzuar hyrja në Kanada, pasi kishte deklaruar para autoriteteve se nuk ishte arrestuar apo akuzuar kurrë për ndonjë vepër penale. Partey ka deklaruar veten të pafajshëm ndaj shtatë akuzave për përdhunim dhe një akuze për sulm seksual, që lidhen me denoncime nga katër gra të ndryshme gjatë viteve 2020– 2022, ndërsa gjyqi pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm. Në stadiumin e Bostonit, mesfushori i Villarreal-it dhe ishlojtari i Arsenal-it u vërshëllye nga tifozët anglezë sa herë që prekte topin.

Mbreti i golit, sfidë mes dyshes

Franca është favoritja për të fituar Kupën e Botës, por sipas kompanive të basteve golashënuesi më i mirë i turneut pritet të jetë Leo Messi, i kuotuar me 2.75. Kylian Mbappé kuotohet me 3.00, ndërsa Erling Haaland me 7.00. Harry Kane kuotohet me 9.00, ndërsa Cristiano Ronaldo me 25.00.

PSG-ja kryeson

Kampionët e dyfishtë të Europës kanë në skuadër pesë lojtarë që kanë shënuar tashmë në këtë Botëror. Bëhet fjalë për Barcola (Francë), Mbaye (Senegal), Joao Neves (Portugali), Dembélé (Francë) dhe Nuno Mendes (Portugali).

Schweinsteiger dhe futbolli “i egër”

Bastian Schweinsteiger ka përfunduar në qendër të kritikave në Gjermani, por jo për arsye sportive. Para fitores 2-1 të Gjermanisë ndaj Bregut të Fildishtë në fazën e grupeve të Botërorit, kampioni i botës i vitit 2014 bëri komente që u konsideruan raciste. Ish-mesfushori, i cili punon si komentator për transmetuesin publik gjerman ARD, parashikoi një ndeshje të vështirë për “Mannschaft”-in. Ai e përshkroi stilin e lojës së “Elefantëve” si: “futboll afrikan, ndonjëherë jo shumë ortodoks, pak i egër dhe jo fort taktik”. Pikërisht fjala “i egër” shkaktoi zemërim në Gjermani për shkak të konotacioneve raciste dhe kolonialiste që mbart. Ish-lojtari i Bayern Munich nuk kërkoi falje dhe nuk u ndëshkua nga transmetuesi.

Tom Brady

Lojtari më i madh i futbollit amerikan i të gjitha kohërave, Tom Brady, fitues i gjashtë Super Bowl-ve me Patriots dhe një me Tampa Bay, është gjithashtu një tifoz i futbollit. Ai është bashkëpronar i klubit Birmingham City, që luan në Championship, kategorinë e dytë angleze. Brady u pa në stadiumin e Los Anxhelosit së bashku me vajzën e tij Vivian për ndeshjen e Brazilit (ish-bashkëshortja e tij, Gisele Bündchen, është braziliane). Dje ai publikoi një mesazh në rrjetet sociale ku pyeti nëse ky Botëror i Amerikës së Veriut është më i bukuri i të gjitha kohërave. Ndoshta është ende herët për të dhënë një gjykim të tillë, por sigurisht që turneu po rezulton shumë argëtues.

Penalltitë, ndryshim i mundshëm gjatë turneut?

Një rregull themelor për goditjet e penalltive mund të miratohet me urgjencë para nisjes së fazës me eliminim direkt të Botërorit, e cila fillon këtë fundjavë. Ndeshjet e 1/ 16-ve të finales nisin të dielën në orën 21:00 dhe FIFA po shqyrton ndryshimin e një elementi që lidhet me seritë e penalltive. Qëllimi është që të kryhet vetëm një hedhje monedhe. Skuadrat do të mund të zgjedhin nëse duan të godasin të parat ose të ekzekutojnë penalltitë përpara tifozëve të tyre, në vend të sistemit aktual me dy hedhje monedhash. Në finalen e Ligës së Kampioneve, Arsenali i humbi të dyja hedhjet, duke u detyruar të gjuante i dyti dhe në portën përballë tifozëve të PSG-së.

Rekordi i Bellingham

Vetëm 22 vjeç e 359 ditë, lojtari i Real Madridit është bërë futbollisti më i ri në historinë e kombëtares angleze që arrin 50 paraqitje. Ai theu rekordin e mëparshëm të Wayne Rooney, i cili kishte arritur këtë shifër në moshën 23 vjeç e 159 ditë.

Orangutani parashikues

E mbani mend oktapodin Paul në Botërorin 2010? Ai u bë i famshëm sepse përdorej për të “parashikuar” rezultatet e ndeshjeve të kombëtares gjermane. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, në kopshtin zoologjik të Dortmundit, është një orangutan ai që ka marrë rolin e orakullit për ndeshjet e Gjermanisë. Duke zgjedhur Ekuadorin si fitues për ndeshjen e ardhshme të Botërorit, disa me shaka thonë se tani duhet të shqetësohet për shëndetin e tij. Walter, i njohur si “orangutani orakull”, parashikoi rezultatin e ndeshjes së Grupit E të Kupës së Botës 2026 mes Ekuadorit dhe Gjermanisë në kopshtin zoologjik të Dortmundit. Ekuadori do të përballet me Gjermaninë më 25 qershor në stadiumin New York New Jersey në East Rutherford, SHBA.

Revolta e vikingut

Ndërsa e gjithë Norvegjia po imitonte lëvizjen simbolike të vozitjes si në tribuna ashtu edhe në fushë pas kualifikimit, një tifoz u bë i famshëm sepse qëndroi krejtësisht i palëvizshëm para kamerave. I intervistuar nga mediat, ai shpjegoi se rituali “Viking Row” është një “marrëzi historikisht e pasaktë”, sepse vikingët e vërtetë përdornin vela dhe jo vozitje me remë. Ai premtoi se do të vazhdojë protestën e tij personale gjatë gjithë turneut.

Botërori kundër dronëve: 300-0

Autoritetet amerikane kanë sekuestruar tashmë më shumë se 300 dronë rreth stadiumeve të Botërorit. Nuk bëhet fjalë për terroristë apo spiunazh. Në shumicën e rasteve, bëhej fjalë për tifozë që donin të realizonin pamje spektakolare për TikTok ose YouTube, por përfunduan me dronët e konfiskuar dhe me gjoba potencialisht shumë të larta.

Shënon Undav? Kebab falas

Deniz Undav nuk po entuziazmon vetëm tifozët e kombëtares gjermane në Botëror. Edhe lokali i tij i preferuar i kebabit në Shtutgart po feston suksesin e sulmuesit me një ofertë të veçantë. “Çdo klient që ndodhet në lokal kur luan Gjermania dhe Deniz shënon, do të marrë një kebab falas nga ne”, deklaroi Ali Abdi, pronari i restorantit “Kebaphaus am Feuersee”. Sulmuesi i Stuttgartit është klient i rregullt i lokalit. Döner-kebabi i tij i preferuar? Ekstra pikant. “Deniz shton të paktën tre lugë spec djegës për t’u siguruar që gjithçka është mjaftueshëm e fortë”, zbuloi Abdi. Gjermania do të përballet me Ekuadorin sot në orën 22:00. Lokali do t’u japë kupona të gjithë tifozëve të pranishëm. “Natyrisht që bëjmë tifo për Gjermaninë. Është një nder për ne që Deniz Undav, një lojtar me origjinë jazide-kurde, po luan për Gjermaninë në Botëror. Në vetëm 56 minuta ai ka shënuar tre gola dhe ka dhënë dy asistime; aktualisht është një nga lojtarët më të mirë të turneut”, shtoi pronari.

“Yamal-mania”

Lamine Yamal e ka forcuar edhe më shumë famën e tij me golin e parë në një Kupë Bote, i cili e futi gjithashtu mes 10 golashënuesve më të rinj në historinë e kompeticionit. Ndikimi ishte i menjëhershëm. Sipas të dhënave të mbledhura nga ekspertët e JD Sports, kërkimet në Google për frazën “fanella e Lamine Yamal” janë rritur me 448% në Spanjë gjatë 24 orëve pas ndeshjes kundër Arabisë Saudite. Interesi për numrin 19 të kombëtares spanjolle tregon se figura e tij tashmë ka kaluar kufijtë e sportit dhe është shndërruar në një ikonë globale.

Canobbio dhe sherri me Bielsën

Agustín Canobbio ishte praktikisht i përjashtuar nga Botërori. Një debat i ashpër me Marcelo Bielsën pas Kupës së Amerikës 2024, ku luajti vetëm një minutë, e mbajti larg kombëtares për dy vjet. “Arrita në pikën ku humba durimin. I thashë se më kishte munguar respekti dhe ia thashë në sy. E dija se çfarë do të ndodhte pas reagimit tim, pas asaj që i thashë Marcelos përballë. Ishte një bisedë e vështirë, duke ditur se çfarë mund të më ndodhte më pas, por arrita ta shihja në sy dhe t’i tregoja se çfarë më kishte shkaktuar psikologjikisht”, zbuloi Canobbio.

Qyteti i Meksikës pa alkool

Qeveria e Qytetit të Meksikës ka vendosur ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike për ditën e sotme, me rastin e ndeshjes së tretë të fazës së grupeve mes kombëtares meksikane, bashkëorganizatore e turneut, dhe Republikës Çeke. Vendimi, i publikuar më 23 qershor në Gazetën Zyrtare të qytetit, kufizon shitjen e alkoolit në disa zona të kryeqytetit me qëllim ruajtjen e rendit publik dhe forcimin e sigurisë.

Trump në finalen e Botërorit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të jetë i pranishëm në finalen e Kupës së Botës dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të trofeut. Lajmin e bëri të ditur presidenti i FIFAs, Gianni Infantino, gjatë një interviste për Fox News. “Do të jemi së bashku me presidentin për të shijuar finalen dhe, natyrisht, për t’i dorëzuar trofeun fituesit”, deklaroi Infantino. Presidenti amerikan ende nuk ka ndjekur asnjë ndeshje të Botërorit, por mund të shfaqet para finales së 19 korrikut në stadiumin MetLife Stadium. Kur u pyet nëse ceremonia e ndarjes së trofeut do të zhvillohej bashkë me Trumpin, Infantino u përgjigj: “Sigurisht, ne jemi gjithmonë bashkë.”

Pendesa e Koulibaly

Ish-mbrojtësi i Napolit, Kalidou Koulibaly, foli për humbjen e Senegalit ndaj Norvegjisë. Në deklaratat e tij ai mori përgjegjësi për paraqitjen e skuadrës dhe bëri autokritikë pas disfatës.

Haaland “snobon”

Hollywood-in Erling Haaland ka shpjeguar pse nuk iu përgjigj ftesës për darkë nga aktori Tom Holland gjatë Çmimit të Madh të Formula 1 në Monako. “Për të qenë i sinqertë, është pak e sikletshme. Ishim në Monako për Formula 1 dhe më pas mora një mesazh. Nuk shikoj shumë filma, ndaj nuk kam asnjë ide se kush janë aktorët. Ishte një djalë që pyeste nëse mund të dilnim për darkë, por unë nuk e kisha parë kurrë më parë, kështu që as nuk u mundova t’i përgjigjesha. Nuk doja t’i përgjigjesha një të panjohuri”, tha sulmuesi norvegjez.

Ronaldo vendos rekord historik

Dopieta kundër Uzbekistanit e ka bërë Cristiano Ronaldo lojtarin e parë në histori që shënon në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës: 2006, 2010, 2014, 2018, 2022 dhe 2026. Ai është gjithashtu golashënuesi i dytë më i moshuar në historinë e turneut, me 41 vjeç e 138 ditë. Rekordi absolut i përket Roger Milla, i cili në Botërorin e vitit 1994 shënoi për Kamerunin kundër Rusisë në moshën 42 vjeç e 39 ditë, duke hyrë në histori si lojtari më i vjetër që ka shënuar në një Kupë Bote.

Gjermania multietnike

Kombëtarja gjermane sot është një pasqyrë e shoqërisë moderne: e përbërë nga shumë lojtarë me origjinë të ndryshme etnike dhe familjare. Shumë prej tyre kanë rrënjë jashtë Gjermanisë, por janë rritur në sistemin gjerman të futbollit dhe përfaqësojnë kombëtaren në nivel ndërkombëtar. Ky diversitet shihet si një nga forcat kryesore të skuadrës aktuale.

Ibrahimoviæ vs Lalas: tension në studio

Sipas një burimi të brendshëm të cituar nga Daily Mail, marrëdhënia mes analistëve të Fox Sports po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Ish-futbollisti amerikan Alexi Lalas vazhdon përplasjet me dy ish-yjet europianë Thierry Henry dhe Zlatan Ibrahimoviæ. “Armiqësia mes tyre është bërë një spektakël televiziv më vete, ndonjëherë edhe më argëtues se ndeshjet. Zlatan dhe Lalas nuk shkojnë aspak mirë; Zlatan e provokon, ndërsa Lalas nuk e duron, por të dy mbeten profesionistë. Tensioni nuk pritet të ulet shpejt dhe prodhuesit e emisionit po e shfrytëzojnë këtë përplasje sepse publiku po e pëlqen”, thuhet në burim.

Martinez kalon Del Bosquen

Fitorja 5-0 e Portugalisë ndaj Uzbekistanit i ka dhënë trajnerit Roberto Martínez suksesin e tij të tetë në Kupat e Botës. Me këtë rezultat ai ka kaluar Vicente del Bosque, duke u bërë trajneri spanjoll me më shumë fitore në historinë e Botërorit.

Supertifozja e Messit

Modelja braziliane Suzy Cortez, e njohur për mbështetjen e saj të fortë ndaj Lionel Messi, ka premtuar një festim “pa precedent” nëse Argjentina fiton sërish Kupën e Botës. Sipas saj, mënyra e festimit do të jetë më e madhe se çdo gjest i mëparshëm që ajo i ka dedikuar yllit argjentinas.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb