Ministria holandeze e Mbrojtjes ka ngritur shqetësimin se Rusia mund të ndërmarrë një fushatë të kufizuar ushtarake kundër një vendi anëtar të NATO-s, rreth një vit pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
Sipas shërbimeve të inteligjencës holandeze, Rusia po përgatit një përballje afatgjatë me Evropën, në një situatë të përshkruar si “mes paqes dhe luftës”, duke mbajtur tensione të vazhdueshme dhe rrezik të shtuar për përshkallëzim.
Në përgjigje të këtyre vlerësimeve, Holanda pritet të rrisë investimet në mbrojtje, përfshirë krijimin e një laboratori të posaçëm për zhvillimin e avionëve luftarakë pa pilot, si pjesë e modernizimit ushtarak.
Këto zhvillime pritet të jenë në qendër të diskutimeve në samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara më 7 dhe 8 korrik, ku aleatët do të shqyrtojnë forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes kolektive.
“Shërbimet holandeze të inteligjencës vlerësojnë se Rusia po përgatit një konfrontim të gjatë me Evropën. Në rastin më të keq, mund të ketë një luftë të kufizuar kundër anëtarëve të NATO-s , pas përfundimit të luftës së Rusisë në Ukrainë”, deklaruan zyrtarët holandezë.
