Kanë dalë detaje të reja lidhur me atentatin me bombë që tronditi Monakon, ku u plagos rëndë biznesmeni ukrainas Vadim Yermalyev, ndërsa rezulton se gruaja e tij, Anna Yermalyeva, nuk ishte mes viktimave, pavarësisht raportimeve fillestare. Mediat ukrainase bëjnë me dije se Anna Yermalyeva ndodhej në një vend tjetër në momentin e shpërthimit dhe nuk u përfshi në incident. Ajo deklaroi se familja po kalon një periudhë shumë të vështirë dhe po bashkëpunon me autoritetet hetimore.
“Jemi në një gjendje të madhe stresi dhe po bashkëpunojmë plotësisht me organet e hetimit dhe zbatimit të ligjit,” u shpreh ajo. Sipas hetimeve, gruaja e plagosur rëndë është një person tjetër, identiteti i së cilës nuk është bërë publik. Raportohet se ajo ka humbur disa gjymtyrë nga shpërthimi, ndërsa djali i saj 13-vjeçar u hodh rreth 15 metra nga vala goditëse dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi ndodhi mbrëmjen e së hënës në hyrje të një rezidence pranë kufirit me Francën. Sipas autoriteteve, një çantë e mbushur me eksploziv dhe copëza metalike shpërtheu në momentin kur Vadim Yermalyev dhe viktimat e tjera po hynin në ndërtesë.
Hetuesit dyshojnë se familja ishte objektivi i sulmit. Prokuroria e Monakos e ka klasifikuar çështjen si tentativë vrasjeje, ndërsa ka përjashtuar deri tani motivin terrorist. Sipas burimeve nga policia ukrainase, atentati mund të lidhet me një skemë mashtrimi prej mbi 100 milionë eurosh, të realizuar përmes qendrave telefonike në Dnipro të Ukrainës. Rrjeti dyshohet se mashtronte investitorë në disa vende evropiane me investime të rreme në kriptovaluta dhe shërbime të tjera fiktive. Autoritetet po hetojnë mundësinë që sulmi të jetë organizuar si hakmarrje nga grupe kriminale të lidhura me këtë aktivitet.
Vadim Yermalyev, i cili ndodhet nën sanksione në Ukrainë që nga viti 2023 për aktivitetet e biznesit të tij në Krimenë e pushtuar, mohon çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme. Edhe familja e tij ka deklaruar se të gjitha bizneset e tyre janë zhvilluar në mënyrë të ligjshme. Ndërkohë, policia në Monako dhe Francë është vënë në kërkim të një personi të dyshuar, i filmuar nga kamerat e sigurisë duke lënë një pako pranë ndërtesës dhe më pas duke u larguar drejt territorit francez. Sulmi ka tronditur principatën e Monakos, e njohur si një nga vendet më të sigurta në botë. Princi Albert II e dënoi atentatin, duke e cilësuar një “akt të papranueshëm” dhe duke garantuar se autoritetet do të bëjnë gjithçka për të identifikuar dhe arrestuar përgjegjësit.
