Për Republikën Demokratike të Kongos, Botërori 2026 është shumë më tepër sesa një turne futbolli. Pas 52 vitesh mungesë në fazën finale të Kupës së Botës, “Leopardët” kanë shkruar histori duke kaluar grupin pas barazimit me Portugalinë, humbjes së ngushtë ndaj Kolumbisë dhe fitores 3-1 ndaj Uzbekistanit, falë dy golave të Yoane Visa.
Tashmë i pret një sfidë e madhe ndaj Anglisë. “Ne e meritojmë të luajmë kundër Anglisë. Kemi punuar shumë për të arritur deri këtu. Nuk është e lehtë në vendin tonë, ku në lindje vazhdon lufta. Sa herë veshim këtë fanellë, mendojmë për njerëzit tanë”, deklaroi Visa. Sulmuesi 29-vjeçar është bërë simbol i lidhjes së fortë me vendlindjen. Në vitin 2022 ai vizitoi rajonin e Kivu Verior, një zonë e njohur më shumë për konfliktet sesa për bukuritë natyrore.
Përmes postimeve të tij ai tregoi një tjetër fytyrë të Kongos. Kodrat e gjelbra, liqenet, vullkanet dhe natyrën e jashtëzakonshme, duke i kujtuar botës se ky rajon është shumë më tepër se një fushë beteje. Pikërisht për këtë arsye, banorët e Kivus e vlerësojnë jo vetëm si futbollist, por edhe si një ambasador të vendit të tyre. Republika Demokratike e Kongos është një nga shtetet më të mëdha dhe më të larmishme të Afrikës, me rreth 116 milionë banorë, qindra grupe etnike dhe qindra gjuhë e dialekte. Vendi shtrihet nga brigjet e Atlantikut deri në kufijtë me Ruandën dhe Ugandën, ndërsa provincat e Kivu Verior dhe Kivu Jugor vazhdojnë të vuajnë pasojat e konfliktit me rebelët e M23.
Shumë banorë të lindjes nuk kanë qenë kurrë në kryeqytetin Kinshasa, ashtu si shumë qytetarë të kryeqytetit nuk kanë vizituar kurrë lindjen e vendit. Megjithatë, të gjithë e konsiderojnë stadiumin kombëtar “Stade des Martyrs” si “shtëpinë” e tyre. Pikërisht aty qëndron forca e kombëtares, e cila ka arritur të bashkojë një popull të ndarë nga lufta, politika dhe dallimet etnike. Ecuria në Botërorin e 2026-ës Pas barazimit me Portugalinë dhe fitores ndaj Uzbekistanit, festimet shpërthyen në Kinshasa, Lubumbashi, Goma dhe Bukavu, madje edhe në zonat e pushtuara.
Presidenti i Federatës Kongoleze të Futbollit, Veron Mosengo Omba, e përshkroi këtë si një dhuratë të papritur për vendin: “Edhe në zonat e pushtuara njerëzit dolën në rrugë për të kërcyer. Këta djem na kanë dhuruar diçka të jashtëzakonshme”. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe presidenti i vendit, Feliks Tshisekedi, sipas të cilit çdo fitore e kombëtares forcon krenarinë kombëtare dhe identitetin e përbashkët të kongolezëve. Kjo kombëtare është gjithashtu simbol i bashkimit mes vendit dhe diasporës. Plot 21 nga 26 lojtarët e grumbulluar për Botërorin janë rritur jashtë Kongos. Futbollistë si Aron VanBisaka, Aksel Tuanzebe dhe Aron Tshibola kanë përfaqësuar më parë kombëtaret e moshave të Anglisë, ndërsa të tjerë janë formuar në Belgjikë, Francë dhe Zvicër.
Për shkak të kufizimeve të vizave për qytetarët kongolezë, shumë tifozë nuk mundën të udhëtonin drejt SHBA-së për të ndjekur Botërorin. Megjithatë, diaspora kongoleze në Amerikën e Veriut e mbushi boshllëkun. Në Hjuston, ku ishte vendosur baza e ekipit, mijëra tifozë udhëtuan me orë të tëra për të mbështetur “Leopardët”, duke e kthyer qytetin në një copëz të Kinshasës. Pavarësisht rezultatit ndaj Anglisë, për Republikën Demokratike të Kongos ky Botëror është tashmë një sukses historik.
Jo vetëm për kualifikimin në fazën me eliminim direkt, por sepse për disa javë futbolli arriti të bëjë atë që politika nuk ka mundur prej dekadash, të bashkojë një komb të ndarë dhe t’u kujtojë miliona njerëzve se, pavarësisht luftës, konflikteve dhe dallimeve, ata vazhdojnë t’i përkasin së njëjtës histori.
