Kreu i SPAK, Klodian Braho ka bërë raportimin në Komisionin e Ligjeve, për punën e vitit 2025.
I ndalur te krimet zgjedhore Brahi tha se për veprat penale që lidhen me zgjedhjet janë hetuar gjithsej 70 procedime penale, me 27 persona nën hetim.
Nga këto, shtoi Braho 46 procedime lidhen me zgjedhjet e vitit 2025.
“Viti 2025 ishte gjithashtu vit zgjedhor parlamentar. Për veprat penale që lidhen me zgjedhjet janë hetuar gjithsej 70 procedime penale, me 27 persona nën hetim. Nga këto, 46 procedime lidhen me zgjedhjet e vitit 2025. Deri në qershor 2026, për këto procedime, 5 çështje janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, me 9 persona të pandehur, ndërsa 22 procedime vijojnë të jenë në hetim.
Këto të dhëna tregojnë se trajtimi i krimeve zgjedhore nuk është kufizuar në administrimin formal të kallëzimeve, por është shoqëruar me verifikim, filtrimin e rasteve sipas kompetencës dhe ndjekjen e atyre çështjeve ku janë krijuar kushtet procedurale për vijimin e hetimit. Në këtë kuadër, vendimmarrjet për mosfillim apo për kërkim pushimi kanë qenë të kontrollueshme në rrugë gjyqësore dhe, sipas të dhënave të disponuara, nuk rezulton që këto vendimmarrje të jenë ndryshuar.
Në këtë proces, për herë të parë u zbatua Strategjia për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve Zgjedhore, e cila synoi një qasje më të hershme, më të strukturuar dhe më të koordinuar institucionale. Bashkëpunimi i SPAK me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vlerësohet se ka ndikuar pozitivisht jo vetëm në trajtimin e rasteve konkrete, por edhe në forcimin e efektit parandalues ndaj veprave penale që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.
Në vlerësimin tonë, kjo qasje duhet të konsolidohet më tej. Task-Forca për krimet zgjedhore nuk duhet të funksionojë vetëm gjatë muajit zgjedhor, por duhet të ketë një shtrirje më të gjerë kohore, duke nisur së paku 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve dhe duke vijuar deri në përfundimin e procesit të numërimit. Një mekanizëm i tillë do të mundësonte monitorim më të hershëm dhe më të qëndrueshëm të territorit, shkëmbimin më të shpejtë të informacionit, identifikim më të mirë të riskut dhe reagim më të koordinuar ndaj çdo indicieje për veprat penale zgjedhore. Mësimet e nxjerra nga viti 2025 duhet të shërbejnë për përmirësimin e protokollit ndërinstitucional, forcimin e analizës së përbashkët dhe rritjen e aftësisë parandaluese dhe reaguese të institucioneve përgjegjëse”, u shpreh ai.
