Këtë të premte në orën 19:00 do të mbahet protesta e 34 më Tiranë, kundër kryeministrit Edi Rama. Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen të panegociueshme të Ramës.

Në një intervistë në “News24”, analisti Erl Murati komentoi këtë protestë që tashmë ka hyrë në muajin e dytë të saj, duke theksuar se ka arritur që të prishë qetësinë e qeverisë.

“Është një protestë që pak kush e kishte menduar që do hynte në muajin e dytë. Rrallëherë kemi parë protesta pa pasur mbështetje partiake. Kjo është ndër të paktat protesta që ka pasur një mbështetje popullore. Një fitore është fakti që janë të qëndrueshëm, unitar, nga jashtë nuk reflektohet përçarje. Ia kanë arritur që me këtë presion publik kanë vënë në lëvizje drejtësinë duke bllokuar paratë e transaksionit”, tha ai.

Gjithashtu gjatë intervistës, ai tha se pavarësisht se kryeministri Edi Rama ka folur me gjuhë denigruese ndaj protestuesve apo duke tentuar t’i akuzojë, dhe i ka quajtur vandalë, revolta nuk është ndalur.

“Fakti që protesta ka arritur të prishë qetësinë e qeverisë, tregon shqetësimin e kryeministrit. Edhe pse në momente të caktuar, i shan, i akuzon apo i bën edhe qesharake. Por protesta duket se është marrë me seriozitet, edhe pse kryeministri ka thënë se nuk do të japë dorëheqjen, por mbete për t’u parë. Ata që kanë dalë në shesh qoftë para Parlamentit qoftë para Kryeministrisë janë shqiptarë, secili përfaqëson veten e tyre. Vetë protestuesit e kanë pagëzuar “revolucion i flamingove” dhe revolucion pa forcë nuk ka. Dhe i takon pushtetit të reflektojë mbi revolucionet popullore. Kryeministri dhe gjithë propaganda qeveritare është mpirë dhe kjo tregon se protesta ka arritur disa fitore të vogla”, tha mes të tjerash ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb