Aktivisti i diasporës në SHBA, Florian Xhudi, i ftuar drejtpërdrejt në studion e emisionit “News24 Fundjavë”, ka lëshuar akuza të rënda në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij. Xhudi deklaroi se revolta e përbashkët e qytetarëve dhe emigrantëve është e shënjestruar qartë kundër korrupsionit galopant dhe sistemit të padrejtë që ka ndërtuar kreu i qeverisë në këto vite.

Sipas aktivistëve të diasporës, reagimi agresiv i kryeministrit në ditët e para të tubimeve ka ardhur si pasojë e rënies drastike të mbështetjes popullore, çka ka sjellë edhe humbjen e plotë të legjitimitetit të ekzekutivit.

“Sondazhet e nxjerrin qeverinë aq keq, sa Rama në ditët e para të protestës nxori anën e tij shumë të keqe dhe tejkaloi limitet e njerëzores. Ka përdorur fjalor të rëndë, nuk kemi të bëjmë më me legjitimitet të qeverisë,” u shpreh Xhudi.

Një tjetër pikë e fortë e denoncimit të aktivistit nga SHBA ishte edhe lëvizja më e fundit në sferat e larta të politikës amerikane, ku dyshimet për lidhjet e zyrtarëve shqiptarë me krimin e organizuar kanë mbërritur në Kongres.

“Para dy ditësh doli një lajm se një kongresmen amerikan i ka kërkuar Kongresit të ngrejë një grup investigimi për hetimin e lidhjeve të qeverisë shqiptare me narkotrafikun. Sido që të shkojë ngritja e këtij grupi, lajmi është që Kongresi Amerikan, kongresmenë të caktuar, dyshojnë se qeveria shqiptare është e përfshirë dhe bashkëpunon me trafikantët e drogës! Çështja është që ka dyshime dhe informacione se qeveria shqiptare është në raporte bashkëpunimi me trafikantët e drogës,” deklaroi Xhudi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb