Gjykata ka dhënë pasditen e sotme vendimin për 19 qytetarët dhe djemtë e arrestuar gjatë protestës masive kundër qeverisë. Pas një seance të gjatë dhe me debate të ashpra mes palëve, togave të zeza kanë rrëzuar kërkesat e prokurorisë për izolim në qeli, duke lënë të lirë pjesën dërrmuese të të ndaluarve.
Në një prononcim për mediat menjëherë pas përfundimit të seancës, një prej avokatëve mbrojtës ka zbardhur skemën e masave të sigurisë, duke e konsideruar një fitore të pjesshme, ndonëse insiston se arrestimet në flagrancë ishin tërësisht politike dhe të paligjshme.
“Për 19 personat e arrestuar nga protesta, prokuroria fillimisht kërkoi ‘arrest me burg’ për 3 prej tyre, dhe më pas ndryshoi qëndrim duke kërkuar ‘arrest në shtëpi’ për njërin. Për të gjithë të tjerët u kërkua masa ‘detyrim paraqitje’. Pas debateve të gjata, gjykata vendosi që vetëm dy persona të qëndrojnë në masën ‘arrest shtëpie’, konkretisht shtetasit me mbiemrat Bardhi dhe Gega,” deklaroi avokati.
Të gjithë të tjerët u lanë në masën “detyrim paraqitje” (disa me detyrim paraqitje një herë në muaj dhe disa një herë në dy muaj).
Ndonëse gjykata e vlerësoi ligjor arrestimin në parim për të vijuar procedurat, mbrojtja ka shfaqur kundërshti të forta me argumentimin e gjykatës, duke thënë se policia ka vepruar pa kritere ligjore dhe në mënyrë joproporcionale në shesh.
“Gjykata e konsideroi arrestimin të ligjshëm në parim për efekt procedure, por në këndvështrimin tonë profesional dhe kushtetues, për shumicën dërrmuese të këtyre djemve arrestimi ishte plotësisht i paligjshëm dhe pa asnjë provë konkrete,” përfundoi avokati përpara gazetarëve.
