Çështja e Qipros është rikthyer në fokusin e Bashkimit Europian pas takimit të udhëheqësve europianë me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Ankara, në kuadër të Samitit të NATO-s. Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë të përbashkët pas darkës me Erdoganin, theksuan se duhet shfrytëzuar “momenti i ripërtërirë” për të promovuar një zgjidhje të çështjes së Qipros përmes procesit të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.
Dy liderët europianë falënderuan Erdoganin për pritjen në Ankara, duke nënvizuar se Bashkimi Europian dhe Turqia mbeten “partnerë strategjikë” dhe se forcimi i marrëdhënieve mes tyre është më i rëndësishëm se kurrë në një situatë ndërkombëtare gjithnjë e më të ndërlikuar. Sipas Costa dhe von der Leyen, Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e krizave në Lindjen e Mesme dhe në mbështetjen e përpjekjeve për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.
“Ne duhet gjithashtu të shfrytëzojmë vrullin e ripërtërirë për të promovuar një zgjidhje të çështjes së Qipros përmes procesit nën kujdesin e OKB-së”, thuhet në deklaratën e tyre. Në takimin trepalësh morën pjesë edhe zyrtarë të lartë nga të dyja palët. Nga Bashkimi Europian ishin këshilltarja kryesore e Antonio Costës për politikën e jashtme, Anna-Maria Bura, dhe shefi i kabinetit të Ursula von der Leyen, Bjorn Seibert. Nga pala turke morën pjesë ministri i Jashtëm, Hakan Fidan dhe ministri i Tregtisë, Omer Bolat.
Ndërkohë, gjatë Samitit të NATO-s, liderët europianë morën edhe dhurata simbolike nga presidenti turk Erdogan, sipas traditës së këtyre takimeve. Mes dhuratave raportohet se ishin edhe revolverë të personalizuar, të shoqëruar me plumba të vërtetë dhe dokumentacionin përkatës të eksportit, me emrat e marrësve të gdhendur në armë.
