Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni është pajtuar të vazhdojë bisedimet me Iranin, pasi Teherani kërkoi rifillimin e procesit të negociatave. Megjithatë, ai theksoi se armëpushimi mes dy vendeve nuk është më në fuqi.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se Irani kërkoi vazhdimin e dialogut, por Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qartë se armëpushimi ka marrë fund.

“Republika Islamike e Iranit na kërkoi të vazhdonim bisedimet. Ne ramë dakord, por Shtetet e Bashkuara u thanë atyre, shumë qartë, se armëpushimi ka MBARUAR!”, deklaroi presidenti amerikan.

Ndërkohë, CNN raportoi, duke cituar dy burime izraelite, se administrata amerikane nuk dëshiron përfshirjen e Izraelit në sulme të reja ajrore kundër Iranit, nga frika se konflikti mund të dalë jashtë kontrollit.

Sipas raportit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të dëshironte që Izraeli të merrte pjesë në operacionet ushtarake së bashku me SHBA-në, por Uashingtoni është i vendosur të shmangë një përshkallëzim të mëtejshëm.

Burimet theksojnë se Trump nuk synon një rikthim në një luftë të plotë me Iranin dhe, në skenarin më të mundshëm, administrata amerikane mund të shqyrtojë rivendosjen e një bllokade detare ndaj porteve iraniane si mjet presioni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: