Një protestues ka mbajtur një fjalim të ashpër përpara Kryeministrisë, duke lëshuar akuza të forta ndaj krerëve të qeverisë dhe duke bërë thirrje për bashkim popullor në shesh, si dhe për arrestimin e zyrtarëve të lartë.

Në fjalën e tij, ai iu drejtua drejtpërdrejt Edi Ramës, duke e krahasuar qeverisjen aktuale me të kaluarën dhe duke ftuar qytetarët që ndodhen nëpër kafene t’i bashkohen tubimit.

“Jam këtu për t’i thënë zotit Edi Rama: ne nuk u trembëm para etërve të tu dhe nuk trembemi as para juve çakejve, bijve të tyre! Ju ftoj pa ndasi feje e krahine të mblidhemi në shesh, në sheshin e lirisë! I ftoj ata që i shoh kafeneve kur vij për këtu në protestë, është pjesa më e bukur kur të gjithë këtu e trajtojmë njëri-tjetrin si vëlla,” u shpreh ai.

Më tej, protestuesi paralajmëroi veprime radikale ndaj kryeministrit dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ngritur pyetje edhe për organet e drejtësisë lidhur me procedurat parlamentare.

“Edi Ramën do shkojmë ta prangosim atje në parlament. Do prangosim edhe Belinda Ballukun! Pse nuk shkon kërkesa për arrestimin e Ballukut në Parlament për ta arrestuar pas ndryshimit të akuzës?” përfundoi protestuesi përpara turmës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb