Një zyrtar i lartë i rebelëve Huthi në Jemen ka paralajmëruar për sulme ndaj Arabisë Saudite, duke rritur frikën se konflikti i ngrirë prej vitesh në Jemen mund të rikthehet në një luftë të gjerë.

Duke folur për Al Jazeera, anëtari i byrosë politike të Huthëve, Mohammed al-Bukhaiti, tha se grupi do të hakmerret ndaj asaj që ai e cilësoi si përpjekje saudite për të penguar lëvizjen ajrore në Aeroportin Ndërkombëtar të Sanaas.

“Gatishmëria e tyre për të sulmuar Aeroportin e Sanaas për të penguar mbërritjen ose nisjen e fluturimeve i jep Jemenit të drejtën për të sulmuar aeroportet e tyre dhe për t’u imponuar atyre një rrethim, ashtu siç na kanë bërë neve”, deklaroi al-Bukhaiti.

Kërcënimet erdhën pas një sulmi ndaj pistës së Aeroportit të Sanaas, ku Huthët akuzuan Arabinë Saudite, ndërsa qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit mori përgjegjësinë, duke thënë se operacioni kishte për qëllim ndalimin e uljes së një avioni iranian në kryeqytetin e kontrolluar nga rebelët.

Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha se sulmi shënoi fundin e periudhës së “çtensionimit” dhe paralajmëroi masa të tjera hakmarrëse.

Pas sulmit në Sanaa, rebelët Huthi lëshuan një breshëri raketash balistike drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Abhas në jug të Arabisë Saudite. Koalicioni i udhëhequr nga Riadi deklaroi se raketat u kapën dhe u neutralizuan.

Tensionet u përshkallëzuan pas një fluturimi iranian drejt Sanaas më 3 korrik, i pari i bërë publikisht nga Irani në kryeqytetin jemenas prej më shumë se një dekade. Huthët pretenduan se avionët luftarakë sauditë tentuan të pengonin uljen e tij.

Nga ana tjetër, qeveria jemenase ka akuzuar Iranin se po përdor fluturimet civile si mbulesë për furnizimin e rebelëve me pajisje dhe mbështetje ushtarake. Ambasadori i Jemenit në Kombet e Bashkuara, Abdullah al-Saadi, deklaroi se avioni iranian ishte i lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe transportonte “personel, njohuri dhe pajisje ushtarake”.

Përplasjet e fundit vijnë pas një periudhe relative qetësie në Jemen, pas armëpushimit të arritur rreth katër vite më parë. Analistët paralajmërojnë se përshkallëzimi mes Huthëve dhe Arabisë Saudite mund të rikthejë një konflikt të gjerë në një nga zonat më të destabilizuara të Lindjes së Mesme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb