Bilanci i viktimave nga dy tërmetet shkatërruese që goditën Venezuelën më 24 qershor ka vijuar të rëndohet. Sipas një përditësimi të publikuar nga presidenti i Parlamentit, Jorge Rodriguez, numri i të vdekurve ka arritur në 4,829.

Sipas të dhënave zyrtare, 16,740 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa 17,907 të tjerë janë zhvendosur, pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar ose janë bërë të pabanueshme.

Bilanci i ri shënon një rritje krahasuar me raportimin e mëparshëm zyrtar, i cili fliste për 4,734 viktima.

Autoritetet venezueliane nuk kanë bërë ende publik numrin e personave që rezultojnë të zhdukur. Megjithatë, Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte vlerësuar në 24 orët e para pas katastrofës se rreth 50 mijë persona rezultonin të zhdukur.

Venezuela u godit më 24 qershor nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë të shkallës Rihter, të ndodhura me vetëm 39 sekonda diferencë. Lëkundjet shkaktuan dëme të mëdha në veri të vendit, përfshirë kryeqytetin Karakas dhe zonat përreth, si edhe në shtetin La Huira.

Mijëra banorë të prekur nga katastrofa vijojnë të jetojnë në kampe të improvizuara, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe shpërndarjen e ndihmave për të mbijetuarit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb