Kryeministri hungarez Peter Magyar tha dje se autoritetet kanë nisur një hetim zyrtar mbi marrëdhëniet e ngushta të ish-ministrit të Jashtëm Péter Szijjártó me Rusinë.

Detajet e hetimit nuk janë publikuar sepse ato lidhen me materiale dhe dokumente konfidenciale shtetërore nga fusha e politikës së jashtme.

Magyar tha se qeveria nuk do të bëjë komente shtesë për momentin në mënyrë që të mos ndikojë në rrjedhën e hetimit, por premtoi të publikojë të gjitha informacionet që mund t’i vihen në dispozicion publikut me ligj sapo të bëhen të ditura gjetjet e para, raportoi Kyiv Independent.

Szijártó ishte kreu i diplomacisë hungareze në qeverinë e ish-kryeministrit Viktor Orbán, administrata e të cilit konsiderohej më pro-ruse midis shteteve anëtare të BE-së.

Gjatë mandatit të tij, Szijjártó mbajti lidhje të ngushta me Moskën, vizitoi Rusinë disa herë pas fillimit të luftës në shkallë të plotë në Ukrainë dhe kundërshtoi vazhdimisht vendosjen e sanksioneve shtesë të Bashkimit Evropian kundër Kremlinit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb