Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mori pjesë në eventin e organizuar nga FIFA në Trump Tower në New York, një aktivitet i veçantë i zhvilluar në prag të finales së Kupës së Botës FIFA 2026, për të celebruar suksesin e edicionit më të madh në historinë e këtij kompeticioni.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, anëtarë të Këshillit të FIFA-s, drejtues të federatave kombëtare nga e gjithë bota, si edhe legjenda të futbollit ndërkombëtar.

Gjatë eventit, Presidenti Duka pati rastin të takohej dhe të bashkëbisedonte me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, si edhe me drejtues të lartë të FIFA-s dhe përfaqësues të federatave të ndryshme, në një mbrëmje që vuri në qendër suksesin e organizimit të Kupës së Botës FIFA 2026 dhe ndikimin global të futbollit.

Në fjalën e tij, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e cilësoi këtë edicion si një sukses të jashtëzakonshëm.

“Kjo Kupë Bote i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë. Nuk është vetëm Kupa e Botës më e madhe e të gjitha kohërave, por edhe ngjarja më e madhe njerëzore, sociale dhe kulturore që njerëzimi ka parë ndonjëherë”, u shpreh Infantino.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e vlerësoi gjithashtu turneun si një ngjarje të paprecedentë në historinë e sportit.

“Ky ka qenë një turne si askush tjetër, me konkurrencë të jashtëzakonshme dhe momente të paharrueshme që kanë bashkuar botën. Është eventi sportiv më i suksesshëm në histori”, deklaroi Presidenti Trump.

Kupa e Botës FIFA 2026 ka vendosur rekorde të reja në pjesëmarrje dhe ndjekje globale. Mbi 6.6 milionë tifozë kanë ndjekur ndeshjet në stadiume, duke e bërë këtë edicionin më të ndjekur në historinë e Kupës së Botës, ndërsa stadiumet kanë regjistruar një shkallë mesatare mbushjeje prej 99.7%. Turneu u organizua për herë të parë nga tre vende pritëse – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika – si edhe me formatin e ri me 48 ekipe pjesëmarrëse, duke shënuar një tjetër moment historik për futbollin botëror.

Pjesëmarrja e Presidentit Duka në këtë aktivitet konfirmon angazhimin aktiv të Federatës Shqiptare të Futbollit në strukturat ndërkombëtare të futbollit dhe marrëdhëniet e ngushta me FIFA-n dhe federatat partnere, në një periudhë kur Shqipëria po forcon gjithnjë e më shumë profilin e saj si organizatore e eventeve të rëndësishme ndërkombëtare sportive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb