Armëpushimi i brishtë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, i cili u shemb shpejt, nuk ka sjellë vetëm pasoja në arenën ndërkombëtare, por ka nxitur edhe një krizë të thellë politike brenda Teheranit. Sipas CNN, përplasjet mes krahëve të ndryshëm të regjimit iranian janë thelluar, ndërsa mbështetësit e vijës së ashpër kanë nisur akuza ndaj udhëheqjes politike, duke pretenduar se po tentohet një “grusht shteti i heshtur”.

Në qendër të debatit është edhe mungesa në publik e udhëheqësit të ri suprem, Mojtaba Khamenei. Ai nuk është shfaqur publikisht dhe nuk i është drejtuar kombit, duke nxitur spekulime të ndryshme brenda qarqeve më radikale të regjimit. Gjatë ceremonisë mortore për Ali Khamenein në Teheran, tensionet brenda regjimit u bënë të dukshme. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, ndërsa mbante arkivolin e liderit të ndjerë, u përball me thirrje nga turma kundër kompromisit me Perëndimin.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili kishte negociuar armëpushimin dhe lehtësimin e disa sanksioneve me administratën Trump, u detyrua të largohej nga ceremonia pasi u sulmua me gurë nga persona që e akuzuan për “tradhti” dhe “dorëzim”. Këto pamje nxorën në pah ndarjet e thella mes atyre që kërkojnë vazhdimin e përballjes me SHBA-në dhe atyre që mbështesin një qasje më pragmatike.

Mbështetësit e vijës së ashpër pretendojnë se zyrtarët politikë dhe ushtarakë që negociuan me Uashingtonin po përpiqen ta largojnë Iranin nga parimet e Revolucionit Islamik të vitit 1979. Sipas tyre, mungesa e Mojtaba Khameneit nga skena publike ka krijuar një vakum pushteti, duke lejuar që figura si presidenti Pezeshkian, kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ministri Araghchi të marrin rol më të madh në drejtimin e vendit. Analisti Aras Azizi, autor i librit “Çfarë duan iranianët”, tha për CNN se ultrakonservatorët po i akuzojnë këto figura për përpjekje për të marrë kontrollin, pasi nuk kanë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me udhëheqësin e ri suprem.

Përplasjet janë intensifikuar edhe pas veprimeve të Gardës Revolucionare iraniane, e cila rifilloi sulmet ndaj objektivave në rajon, duke dobësuar më tej armëpushimin me SHBA-në. Mbështetësit e linjës së ashpër kërkojnë braktisjen e plotë të marrëveshjeve me Uashingtonin dhe rikthimin në një politikë më agresive ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Deputeti ultrakonservator Kamran Ghazanfari akuzoi udhëheqjen aktuale se po tenton të dobësojë rolin e Liderit Suprem dhe Parlamentit përmes forcimit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.

“Ky është grushti politik i shtetit që ata kanë planifikuar dhe po e zbatojnë hap pas hapi”, deklaroi ai. Edhe pse përplasjet publike janë shtuar, analistët vlerësojnë se regjimi iranian vazhdon të jetë i bashkuar rreth një objektivi kryesor: përfundimin e luftës dhe heqjen e sanksioneve ndërkombëtare, duke ruajtur kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, mungesa e Mojtaba Khameneit, ndikimi në rritje i Gardës Revolucionare dhe fuqizimi i mbështetësve të vijës së ashpër kanë krijuar një periudhë pasigurie të madhe politike në Iran. Sipas analistëve, përplasja e brendshme mund të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të Republikës Islamike: nëse do të zgjedhë një rrugë më pragmatike me Perëndimin apo do të rikthehet në një kurs të ashpër konfrontimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: