Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar qeverinë për aferë korruptive lidhur me TEC-et lundruese në Vlorë, duke kërkuar hetim nga SPAK për këtë çështje. Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se dosja për termocentralet “Tigri 1” dhe “Tigri 3” përbën një nga aferat më të mëdha të shpërdorimit të fondeve publike, duke pretenduar se Shqipërisë i është shkaktuar një dëm prej të paktën 80 milionë eurosh.
Sipas tij, vendimmarrja për këtë projekt lidhet me kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. “Dosja e termocentraleve lundruese në Vlorë është një aferë korruptive që ulëret. Të paprekshmit e SPAK nuk janë statistika, por kanë emër: quhen Edi Rama dhe Belinda Balluku”, deklaroi Bardhi. Ai pretendoi se TEC-et kanë prodhuar shumë më pak energji sesa parashikonte kontrata, duke theksuar se nga janari 2024 deri në prill 2026 janë prodhuar rreth 102 mijë megavat-orë energji, ndërsa kontrata parashikonte një prodhim prej 850 mijë megavat-orësh në vit.
Bardhi tha se SPAK ka në dispozicion të dhënat për kontratën, prodhimin dhe kostot, por sipas tij nuk ka ende akuza ndaj zyrtarëve të lartë që ai përmendi. Kreu i grupit parlamentar të PD-së kundërshtoi gjithashtu planin për shpenzimin e rreth 20 milionë eurove të tjera për operimin dhe mirëmbajtjen e TEC-eve lundruese, duke e cilësuar si një tjetër dëm për interesin publik. Deri tani, autoritetet qeveritare kanë mbrojtur projektin e TEC-eve lundruese, ndërsa akuzat e opozitës për këtë çështje mbeten pjesë e debatit politik.
REAGIMI
Dosja e termocentraleve lundruese në Vlorë, “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, është një aferë korruptive që ulëret. Më shumë se një vit më parë kam depozituar personalisht në SPAK provat zyrtare që ngrenë dyshime serioze se qeveria e Edi Ramës, përmes vendimmarrjes së Belinda Ballukut, ka kryer një nga aferat korruptive më të dukshme dhe i ka shkaktuar Shqipërisë një dëm prej të paktën 80 milionë eurosh, nën justifikimin e një krize energjetike imagjinare që nuk erdhi kurrë.
Fituesi u paracaktua kohë përpara se të hapej tenderi dhe në Shqipëri u sollën dy rrangalla energjetike, që prodhojnë shumë më pak nga sa parashikonte kontrata dhe me një kosto shumë më të lartë se tregu. “Tigrat” e Ramës dhe Ballukut provojnë sot të paktën një gjë: kontrata nuk siguroi energjinë e premtuar, por siguroi pagesën e dyshimtë prej 80 milionë eurosh. Se ku përfunduan këto para dhe interesave të kujt i shërbyen, është pikërisht ajo që duhet të hetojë SPAK-u.
SPAK-u i ka të dhënat zyrtare. Nga janari 2024 deri në prill 2026, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” kanë prodhuar vetëm 102 mijë megavat-orë energji. Në 28 muaj kanë prodhuar aq sa Shqipëria konsumon në afërsisht pesë ditë.
SPAK-u e di edhe se kontrata parashikonte 850 mijë megavat-orë në vit. Pra, gjatë kësaj periudhe, është prodhuar vetëm rreth 5 për qind e detyrimit kontraktor.
SPAK-u e di prodhimin. E di kontratën. E di faturën. Por sot nuk ka asnjë akuzë ndaj Edi Ramës apo Belinda Ballukut për këtë aferë flagrante të abuzimit me pushtetin.
Dhe ndërsa SPAK-u fle mbi dosjen apo bën llogari mbi këtë dosje, qeveria ka parashikuar të shpenzojë edhe rreth 20 milionë euro të tjera për operimin dhe mirëmbajtjen e rrangallave që nuk na hyjnë në punë. Ky është rasti, kur SPAK-u, në vend që të mbronte inetresin publik me hetime të shpejta dhe pa llogari politike, jo vetëm nuk ndëshkon dëmin e djeshëm, por lejon të prodhohet dëmi i radhës.
10 vite më parë SPAK u krijua për të bërë të mundur një objektiv kombëtar: që përpara drejtësisë, të mos kishte më të paprekshëm. Që përpara ligjit, të gjithë të jenë të barabartë. SPAK-u u krijua pikërisht për këtë provë: që ligji të arrinte atje ku më parë ndalej, te korrupsioni në majën e pushtetit dhe tek njerëzit që konsideroheshin të paprekshëm.
Misioni i SPAK-ut nuk matet vetëm me “sa”. Matet me “kë”: kë ka guxuar të hetojë e ta çojë para drejtësisë, deri ku e ka çuar hetimin, sa para ka zbuluar dhe konfiskuar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe tek dera e kujt është ndalur. Fatkeqësisht kjo aferë na tregon se dhjetë vjet pas miratimit të reformës në drejtësi dhe gjashtë vjet pas fillimit të punës së SPAK-ut, të paprekshmit vazhdojnë të jenë të paprekshëm. Dhe të paprekshmit nuk janë statistika. Ata kanë emër: Quhen Edi Rama dhe Belinda Balluku.
